Mbishkrimi i parë me emrin e ri kushtetues “Republika e Maqedonisë së Veriut” u vendos në pikën kufitare “Bogorodicë” në kufirin me Greqinë. Nuk bëhet fjalë për tabelë të re, por vetëm vendosje të afishës me emrin e ri mbi tabelën e vjetër.
Drejtori i Drejtorisë së Doganave, Gjoko Tanasoski sqaroi se për shkak të kohës së shkurtër për zhvillimin e procedurave të tenderit, si dhe në pajtueshmëri me vendimet e Qeverisë, është paraparë që tabelat të ndërrohen ku është e mundur me afishe, e ku është e mundur me montim të tabelave të tjera, me qëllim që të plotësohet detyrimi në afat prej 3 ditëve.
Tabela në këtë pikë kufitare është vendosur vetëm në gjuhën maqedonase dhe atë angleze. Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski tha se edhe pse gjuha shqipe është zyrtare në nivel republikan, ajo do të vendoset vetëm në ato tabela ku pikat kufitare gravitojnë në komuna ku përveç gjuhës maqedonase përdoret edhe gjuhë tjetër zyrtare.
Mile Boshnjakovski, Zëdhënës i Qeverisë
“Keni të drejtë se gjuha shqipe është zyrtare në gjithë territorin e shtetit, megjithatë në korrniza të ligjit për përdorimin e gjuhëve ka nen specifik, nëse nuk gaboj mendoj se është neni 16, që e përcaktojnë veçanërisht këtë për pikat kufitare, këtu është e përcaktuar se vetëm në pikat kufitare që mbi 20 përqind, në rastin konkret kemi shqiptarë, vetëm ato pika kufitare do të jenë në tre gjuhë.”
Në ndërkohë është ndërruar mbishkrimi edhe në pikën kufitare “Tabanovc”në kufi me Serbinë. Mbishkrimi në këtë tabelë është i përkthyer edhe në shqip. Sektori për marrëdhënie me publikun në kuadër të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në afat prej 7 ditëve do të përpunojë libër me standarde grafike me të cilat përcaktohen standardet për tregim vizuel të emrit kushtetues Republika e Maqedonisë së Veriut në lidhje me stemën e shtetit si një logo të përdorur nga institucionet shtetërore në tabelat publike në hyrje të të gjitha institucioneve
Më tej sekretariati i përgjithshëm në afat prej 7 ditëve do të përgatit softuer që do t’i përmbajë të gjitha institucionet në nivel shtetëror dhe lokal, si dhe dimensionet e tabelave publike. Ndryshimi i të gjitha tabelave në nivel shtetëror dhe lokal do të përfundojë në afat prej 4 muajve.
Në afat prej 3 ditëve, të gjitha institucioet të bëjnë ndryshim të të dhënave digjitale llogo, memorandume, komunikime elektronike, ueb faqe, media dhe të ngjajshme.
Të gjitha institucionet duhet t’i ndërrojnë memorandumet, materialet e shtypura, dosjet, treguesit, në afat prej 2 javëve.
Ministria e jashtme ti ndryshojë tabelat në ministri si dhe vulat dhe në ministri në afat prej 2 javëve, ndërsa përfaqësitë diplomatike konsullare në afat prej 3 javëve.
Ministria e punëve të brendshme të fillojë me dhënien e tabelave të reja të regjistrimit në afat prej katër muajve. Në ndërkohë si zgjidhje e përkohshme MPB do të sigurojë afishe me shenjën NMK për tabelat e regjistrimit nëpër vetura. Ato do të jepen gjatë daljes nga vendi, nëpër pikat kufitare. Tabelat e reja të regjistrimit, MPB do të fillojë t’i jep në afat prej 4 muajve, dikund kah mesi i majit.
Dhënia e pasaportave të reja do të fillojë nga fundi i vitit 2019. Në periudhën kalimtare MPB gjatë daljes ose hyrjes në RMV, në dokumentet e udhëtimit ekzistuese dhe që sapo janë dhënë do të vendosë vulë që do të bëjë të qartë se dokumentet i takojnë Republikës së Maqedonisë së Veriut. Shpenzimet e ndërrimin e dokumenteve do të paguhen nga vetë qytetarët.
“Për momentin nuk është akoma nuk është themeluar procedura , megjithatë afati është 5 vite. Kjo nënkupton se pasaportat e reja që do të jepen në ndërkohë derisa nuk arrijnë pasaportat me emrin kushtetues, është e mundur që afati i skadimit të atyre pasaportave të jetë 5 vite, në vend të atyre aktual 10…. Kjo do të jetë në shpenzim të qytetarëve, secili vet do të paguajë shpenzimet.”
Banka popullore, duke pasur parasysh kompleksitetin e procedurës, të bëjë analiza dhe plan të aktiviteteve të nevojshme për ndryshim gradual të banknotave, me dinamikë kohore. Banknotat e para të reja me emrin e ri të Bankës Popullore do të mund të jenë gati në fillim të vitit 2020, ndërsa më pas tërësisht të ndryshohen më së voni në afat prej 5 viteve nga hapja e kapitullit relevant të BE-së. Shenjat e komunikacionit në drejtimet ndërkombëtare në vend, do të ndërrohen në afat prej 2 muajve.
Në afat prej 6 muajve të bëhet kontrolli i revizionit të statusit të përmendoreve, ndërtesave publike dhe infrastrukturës. Nëse vërehet se bëhet fjalë për histori helene antike dhe civilizim si pjesë trashëgimisë historike të Greqisë, do të merren masat dhe aktivitetet konkrete. Në afat prej 6 muajsh të largohet simboli i theksuar në flamurin e mëparshëm nacional nga hapësirat publike dhe për përdorim publik.
VIDEO:










