Reshjet e dendura të shiut në Shqipëri në disa qytete kanë shkaktuar përmbytje të rrugëve. Sipas Agjencisë për Media dhe Informim, më problematike paraqitet situata në Veri të Shqipërisë – Lezhë dhe Shkodër, ku janë përmbytur shtëpi banimi, banesave, toka bujqësore dhe oborre të shkollave në disa bashki.
Në qarkun Shkodër si pasojë e reshjeve intensive ka përmbytje banesash të mbi 15 familjeve në Malësi të Madhe. Nivelet e lumenjve Buna dhe Drin mbeten nën kuotat e rrezikut, teksa rekomandohet qarkullim me kujdes në akset Bogë-Theth dhe Hani i Hotit-Vermosh. Për shkak të rritjes së prurjeve ujore në kaskadën e Drinit, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës.
Në qarkun Kukës, reshjet e shiut me intensitet të lartë në gjithë territorin. Në Shqipërinë e mesme, Durrësi është më kritik. Disa akse rrugore në qyteti bregdetar janë mbuluar nga uji dhe janë bërë tërësisht të pakalueshme, duke paralizuar qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve. Shkollat në qytet janë mbyllur.
Janë evakuuar edhe familje në disa zona të Durrësit. Në Tiranë autoritetet e qytetit i kanë thënë ATSH-së se situata nuk paraqet rrezikshmëri në kryeqytet. Moti i lig ka kapluar edhe jugun e Shqipërisë, por me probleme më të pakta, si ndërprerje e rrymës, ujit të pijshëm dhe bllokim të disa rrugëve. Megjithatë akset nacionale në Shqipëri janë të qarkullueshme.










