Cristiano Ronaldo, një nga lojtarët më të famshëm të dekadave të fundit, u bë zyrtarisht futbollisti i parë miliarder në botë. Bloomberg, rrjeti më i rëndësishëm mediatik që trajton aspekte ekonomike dhe financiare, bëri të ditur se pasuria neto e yllit portugez është aktualisht 1.4 miliardë dollarë (rreth 1.2 miliardë euro). Rritja e konsiderueshme e pasurisë muajt e fundit të 40-vjeçarit erdhi në mënyrë të veçantë nga zgjatja e kontratës me klubin saudit Al Nassr, e nënshkruar në qershor, kontratë e re e cila besohet se i siguroi portugezit një fitim mbi 400 milionë dollarë.
Sipas llogaritjeve të Bloomberg, Ronaldo fitoi mbi 550 milionë dollarë në pagë midis viteve 2002 dhe 2023, pra për gati 2 dekada. Ai gjithashtu nënshkroi një marrëveshje 10-vjeçare me Nike me vlerë gati 18 milionë dollarë në vit dhe reklama të tjera me marka të tilla si Armani dhe Castrol, duke shtuar mbi 175 milionë dollarë në pasurinë e tij neto. Kalimi i tij te Al Nassr në vitin 2023 i fitoi atij afërsisht 200 milionë dollarë në vit në paga dhe bonuse të pataksueshme, si dhe përfitime të tilla si një bonus nënshkrimi prej 30 milionë dollarësh.
Për një kohë të gjatë, CR7 dhe Lionel Messi kishin pasuri neto të ngjashme, por në vitin 2023, pozicionet e tyre ndryshuan ndjeshëm, me kalimin e Ronaldos në Gjirin Persik dhe kalimin e Messit te klubi i Ligës së Madhe të Futbollit Inter Miami. Megjithatë, argjentinasi do të fitojë një pjesë të aksioneve të klubit amerikan pasi t’i japë lamtumirën futbollit të luajtur, një marrëveshje që mund ta rikthejë “pleshtin” në situatë të njëjtë financiare me rivalin e tij më të madh të 15 viteve të fundit. /vizionplus.tv