Rrëfimi i gazetarit: Kur SHIK-u i Berishës rrihte për vdekje Arben Imamin në qeli

Gazetari Bardhok Lala rrëfeu mbrëmë tek emisioni “Dritare” i Rudina Xhungës se si ishte rrahur nga punonjës të SHIK-ut më 28 maj 1996, tortura të cilat kishin shkuar deri në futje në varr të gjallë.

Gjatë rrëfimit të tij të botuar më parë edhe në Albeu.com, gazetari Lala rrëfen edhe një skenë me personazh Arben Imamin, i cili sipas tij po ashtu ishte torturuar në qëlitë e godinës që sot është Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.

Në atë kohë, Imami ishte funksionar i Partisë Aleanca Demokratike.

Pjesë nga intervista

Si ishte Arben Imami?

Unë nuk kisha shkrepëse dhe kërkoj një të tillë. Polici nuk ma dha në dorë por ma hodhi shkrepësen. Kur po ndizja cigaren, te shkallët shoh katër vet dhe dukej sikur ishte e një trup, po e gjuanin të gjithë si një thes mielli, e nxorën në kat të dytë. Pas rreth 40 minutash e sollën dhe unë i pashë fytyrat, që ishin të gjithë civilë. E përplasën Arben Imamin te këmbët e mia. Tani mua më kapi frika se thashë, vdiq ky.

E kthej nga përmbys që ishte dhe fytyrën e kishte gjithë gjak, i kishin thyer dhëmbët. E njoha menjëherë. Aty Arben Imami më thotë ‘do na vrasin’. Nxora cigaret dhe i prisha për t’i mbyllur hemorragjitë që kishte dhe i them ‘ do dalim’, më thotë ‘jo, do na vrasin’.

Ti vetë nuk u frikësove në atë moment?

U frikësova. Dëgjoja rënkime, por kur pashë Arben Imamin, i cili ishte themelues i Partisë Demokratike, një figurë tepër e njohur e shumë e dashur, kuptova që nuk ishte e thjeshtë.

Ndërkohë, Arben Imamin ti e le me gjak.

Jo, nuk e lashë unë. Më la ai mua, sepse tek mua nuk kishte filluar akoma. Vjen një oficer policie dhe i thotë Arben Imamit ‘te lutem do dilni jashtë’ dhe i thotë Imami ‘jo, kërkoj letër për keqtrajtim’. Polici ia kthen ‘të ka keqtrajtuar policia’, pasi Imami ia mohon, oficeri i thotë që nuk mban përgjegjësi. I kërkon të dalë jashtë sepse eurodeputetët dhe vëzhguesit ndërkombëtar po mblidhnin të gjithë të burgosurit që ishin në komisariatet e Tiranës.

Unë i them Arbenit ‘të lutem, tregoju shokëve që jam këtu’. Në atë moment ka ikur Arbeni te 15 katëshi dhe i ka thënë kolegëve që në komisariat është gazetari Bardhok Lala. 20-30 minuta pasi është larguar Arben Imami, mua më nxorën jashtë.

Dola jashtë, më dhanë çantën dhe zbres shkallët, po binte shi. Isha i tronditur dhe nisa të qaja. Kur isha aty te shkallët takoj një grua e veshur me rroba të zeza e më pyeti se çfarë kam. Unë i them që nuk kam asgjë. Pa mbaruar fjalën, më ndalon para këmbëve një makinë. I njoha menjeherë katër personat që sollën Arben Imamin. Ata ishin jashtë dhe shoferi ishte brenda. Nuk ishin policë, as makina nuk ishte e policisë.

Makinën e kuqe dhe shoferin me mustaqe, e mbaj mend mirë edhe sot e kësaj dite. Por ato nuk kanë faj, kanë qenë të urdhëruar, nuk e kanë bërë nga koka e tyre./albeu


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu