Rregulla të reja për hyrje në vendet e BE-së

Edhe pse ende nuk ka hyrë në fuqi, leja elektronike evropiane për udhëtim ETIAS tashmë ka pësuar rritjen e parë të çmimit. Në vend të tarifës së mëparshme prej 7 eurosh, të gjithë udhëtarët nga vendet me regjim pa viza për në BE, përfshirë edhe qytetarët amerikanë, do të duhet të paguajnë 20 euro për autorizim nga fundi i vitit 2026

Bruksel, 19 gusht – Qytetarët e Maqedonisë që planifikojnë të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian së shpejti do të përballen me procedura të reja në kufi. Konkretisht, nga data 12 tetor 2025, Bashkimi Evropian do të fillojë me zbatimin gradual të Sistemit të hyrjes/daljes (EES), i cili do ta zëvendësojë plotësisht sistemin aktual të vulave në pasaporta. Ky ndryshim ka për qëllim modernizimin dhe përmirësimin e kontrollit të kufijve të jashtëm të BE-së, por sjell gjithashtu edhe masa konkrete për të gjithë qytetarët e vendeve joanëtare të BE-së, përfshirë edhe Maqedoninë.

Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, EES do të regjistrojë në mënyrë digjitale hyrjen dhe daljen e udhëtarëve, duke e bërë vulosjen manuale të pasaportave pjesë të së kaluarës. Në vend të saj, sistemi do të mbledhë të dhëna biometrike, si gjurmë gishtash dhe fotografi të fytyrës.

Liderët evropianë presin që sistemi i ri të mundësojë menaxhim më efikas të kufijve të jashtëm të BE-së, të zbulojë rastet e tejkalimit të qëndrimit të lejuar, si dhe abuzimet me identitetin dhe dokumentet. Zbatimi i sistemit do të zgjasë gjashtë muaj, gjatë të cilëve shërbimet kufitare do të fillojnë të regjistrojnë të dhënat e udhëtarëve nga vendet e treta, raportojnë mediat e rajonit.

Gjatë fazës gjashtëmujore të implementimit, kontrollet kufitare do të fillojnë gradualisht regjistrimin e të dhënave në 29 vendet e zonës Shengen. Sistemi është pjesë e paketës “Kufij të mençur”, me të cilën BE modernizon protokollet e sigurisë në kufijtë e jashtëm.

ÇFARË ËSHTË EES DHE ÇFARË DO TË THOTË PËR QYTETARËT E MAQEDONISË?

EES është një sistem digjital për regjistrimin e hyrjes dhe daljes së shtetasve të vendeve të treta që udhëtojnë në zonën Shengen për qëndrim të shkurtër – deri në 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore. Kjo përfshin udhëtimet turistike, biznesit dhe private, por jo qëndrimet e gjata, studimet ose vizat e punës.

Për qytetarët e Maqedonisë, të cilët aktualisht mund të udhëtojnë pa viza në shumicën e vendeve të BE-së, kjo do të thotë: Me hyrjen e parë në një nga 29 vendet anëtare të zonës Shengen, regjistrimi i të dhënave personale, përfshirë edhe të dhënat biometrike – gjurmë gishtash dhe fotografi të fytyrës – do të jetë i detyrueshëm, vendosja e vulave në pasaporta hiqet, ndërsa të gjitha të dhënat do të ruhen elektronikisht dhe do të shkëmbehen brenda sistemit, çdo hyrje ose dalje e mëvonshme nga zona Shengen do të regjistrohet automatikisht.

SI DHE KUR DO TË ZBATOHET EES?

Komisioni Evropian ka paralajmëruar zbatimin gradual të sistemit gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, duke filluar më 12 tetor. Kjo do të thotë se EES nuk do të zbatohet menjëherë në të gjitha pikat kufitare, por vendet anëtare do ta implementojnë atë me radhë për t’i dhënë kohë shërbimeve kufitare të përshtaten me teknologjinë e re, udhëtarët të informohen për ndryshimet dhe të shmangen vonesat dhe bllokimet në trafik.

PSE PO IMPLEMENTOHET EES?

Sipas Komisionit Evropian, sistemi i ri ka disa qëllime: Menaxhim më efikas të migracionit dhe qëndrimit, me zbulimin automatik të tejkalimeve të lejuara, rritje të sigurisë, identifikim të dokumenteve të falsifikuara dhe vjedhjes së identitetit, kontroll kufitar më i shpejtë dhe më i saktë, veçanërisht në periudha të fluksit të madh të udhëtarëve, mbrojtje të të dhënave personale, duke respektuar standardet më të larta të privatësisë në BE.

ETIAS VJEN NË VITIN 2026 – NJË RISI TJETËR PËR QYTETARËT E MAQEDONISË

EES është vetëm një pjesë e kontrollit të mençur të kufijve evropianë. Hapi i ardhshëm është futja e ETIAS (Sistemi Evropian për Informacion dhe Autorizim të Udhëtimit), që është një lloj lejeje udhëtimi, e ngjashme me ESTA-n amerikane.

Nga fundi i vitit 2026, të gjithë udhëtarët nga vendet me regjim pa viza me BE-në, përfshirë edhe Maqedoninë, do të duhet të plotësojnë një formular online dhe të paguajnë një tarifë (20 euro) para udhëtimit. Ky sistem do të mundësojë kontrolle shtesë të sigurisë para se udhëtari të niset për udhëtim.

Qytetarët e Maqedonisë që planifikojnë të udhëtojnë në BE pas 12 tetorit duhet të jenë të informuar për ndryshimet që sjell EES. Edhe pse këto masa zbatohen për më shumë siguri dhe kontroll, ato do të kërkojnë më shumë kohë dhe kujdes gjatë kalimit kufitar, veçanërisht gjatë muajve të parë të implementimit.

ETIAS ENDE PA NISUR, POR TASHMË MË I SHTRENJTË

Edhe pse ende nuk ka hyrë në fuqi, leja elektronike evropiane për udhëtim ETIAS tashmë ka pësuar rritjen e parë të çmimit. Në vend të tarifës së mëparshme prej 7 eurosh, të gjithë udhëtarët nga vendet me regjim pa viza për në BE, përfshirë edhe qytetarët amerikanë, do të duhet të paguajnë 20 euro për autorizim nga fundi i vitit 2026.

ETIAS është një sistem elektronik për miratim paraprak të hyrjes në zonën Shengen dhe vlen për 59 vende që gëzojnë regjim pa viza me BE-në, përfshirë SHBA-në, Kanadanë, Australinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Serbinë.

Megjithëse pati komente se kjo ngjan me një lloj vendosjeje vizash, Komisioni Evropian ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për vizë klasike, pasi nuk kërkohet vizitë në konsullatë, as dokumentacion shtesë apo të dhëna biometrike. Aplikimi bëhet online dhe aprovimi zakonisht merret brenda disa minutave deri në disa ditë. “ETIAS nuk është vizë dhe nuk vendos detyrim vizash. Nuk ka vizitë fizike në ambasadë dhe as marrje gjurmësh gishtash”, deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anita Hipper.

Leja është e vlefshme për tre vjet ose deri në skadimin e pasaportës. Për udhëtarët nën 18 vjeç ose mbi 70 vjeç, autorizimi është falas. Sipas Komisionit Evropian, vendimi për rritjen e tarifës lidhet me rritjen e kostove të infrastrukturës digjitale dhe sigurisë kibernetike. Edhe pse sistemi ende nuk ka hyrë në fuqi, kjo është tashmë ndryshimi i dytë i kushteve, duke pasur parasysh se fillimisht ishte planifikuar të fillonte në vitin 2016, pastaj në vitin 2022. “Qëllimi i ETIAS është përmirësimi i sigurisë së BE-së, por njëkohësisht edhe lehtësimi i hyrjes së udhëtarëve në zonën Shengen”, thuhet në njoftimin zyrtar.

KËSHILLA PËR UDHËTARËT

Ndiqni informacionet për zbatimin e EES në pikat kufitare që planifikoni të përdorni. Prisni mundësi për vonesa gjatë regjistrimit. Përgatitni pasaportën dhe jini gati për regjistrim biometrik.

Pa dyshim, Bashkimi Evropian po hyn në një epokë të re të kontrollit digjital të kufijve, dhe qytetarët e Maqedonisë, si udhëtarë të shpeshtë në BE, duhet të jenë të përgatitur për këtë ndryshim të rëndësishëm.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu