“Rusia e pamëshirshme”, Borrell pas vizitës në Moskë: Të shqyrtohen sanksione të reja

Shefi i Politikës së Jashtme të BE, duke raportuar në Parlamentin Evropian mbi vizitën e tij në Moskë, deklaroi se Rusia po shkon në një drejtim autoritar tepër shqetësues.

Në fjalimin e tij, Borrell theksoi se pushteti aktual rus është “i pamëshirshëm” ndaj elementëve të opozitës dhe paralajmëroi se BE mund të vendosë sanksione të reja ndaj tij.

“Qeveria ruse po bie në një regjim autoritar. Hapësirat për shoqërinë civile dhe lirinë e shprehjes vijojnë të ngushtohen dhe duket se nuk ka hapësirë për alternativa demokratike. Autoritetet ruse kanë treguar në rastin e Navalnyt se janë të pamëshirshme kur bëhet fjalë për t’u mbyllur gojën subjekteve të tilla”, u shpreh Josep Borrell.

Sipas Borrell, një gjë është e qartë, nuk ka vullnet nga pala ruse për t’u angazhuar në bisedime për të adresuar çështjet e të drejtave të njeriut dhe lirisë politike.

“U takon vendeve anëtare të vendosin për hapat e ardhshëm. Por duhen diskutuar sanksionet e reja dhe unë do të çoj përpara propozime konkrete, duke përdorur të drejtën e nismave që Përfaqësuesi i Lartë gëzon”, u shpreh ai më tej.

Ndërkohë, ligjvënës të Parlamentit Evropian komentuan vizitën në Moskë. Disa prej tyre e kanë kritikuar kryediplomatin evropian për figurën e dobët të treguar gjatë qëndrimit në Rusi.

“Ju vendosët të shkonit atje dhe ratë në një kurth të mirëpërgatitur nga Sergei Lavrov. Ju vendosët ta bënit këtë kundër këshillave të vendeve të rajonit tim dhe politikanëve në Parlamentin Evropian për shkak të ndasive politike. Me këtë vizitë, ju përforcuat regjimin rus që po shkon drejt zgjedhjeve parlamentare dhe mohuat edhe shpresën më të vogël për opozitën ruse”, tha Anna Fotyga, euro-deputete nga Polonia.

Një ditë më parë, 51 euro-deputetë kërkuan përmes një letre dorëheqjen e Borrell për shkak të dështimit në vizitën e tij në Rusi, ditë kur Kremlini dëboi tre diplomatë perëndimorë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu