Evropa është në rrezik dhe Moska mund të godasë në çdo moment qytetet e mëdha. Paralajmërimi është dhënë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke theksuar se shënjestrat e Kremlinit mund të jenë Roma, Londra apo dhe Amsterdami. Paralajmërimi i Rutte u dha për televizionin italian “Tg1”, duke theksuar rrezikun në rritje që përbën Rusia për sigurinë e vendeve europiane.
“Jemi të gjithë në rrezik! Raketat më të përparuara të Rusisë mund të godasin Romën, Amsterdamin ose Londrën me pesë herë shpejtësinë e zërit”, deklaroi Rutte.
Kreu i NATO-s nënvizoi kapacitetet teknologjike gjithnjë e më të avancuara të ushtrisë ruse. Ai shtoi se kjo situatë nuk është më një çështje vetëm e vendeve të krahut lindor të NATO-s, por një kërcënim për të gjithë aleancën:
“Do të thotë që të gjithë jemi në krahun lindor.”
Në deklaratën e tij, Rutte përshkroi presidentin rus Vladimir Putin si “kundërshtarin kryesor” dhe “kërcënimin afatgjatë më serioz” për sigurinë kolektive të Perëndimit.