Në zemër të një shpërthimi bërthamor, trupi i njeriut nuk digjet, ai zhduket. Kockat kthehen në pluhur. Ajri bëhet armë. Nëse je mjaftueshëm afër, nuk ke kohë të bërtasësh. Nuk vrapon. Thjesht… zhdukesh.
Kjo nuk është ekzagjerim. Është fizikë. Në një modelim të fundit nga AsapSCIENCE, studiuesit analizuan se çfarë do të ndodhte nëse një bombë bërthamore me fuqi prej 1 megaton (rreth 80 herë më e fuqishme se ajo e Hiroshimës) do të shpërthente. Dhe u përpoqën t’i përgjigjeshin një pyetjeje që askush nuk dëshiron ta bëjë: sa larg duhet të jesh për të mbijetuar?
Në pikën zero, temperaturat mund të arrijnë deri në 100 milionë gradë Celsius – më shumë se në bërthamën e Diellit. Çdokush aty pranë do të shndërrohej menjëherë në karbon. Por edhe shumë më larg se epiqendra, pasojat janë shkatërruese. Djegiet e shkallës së tretë – ku lëkura flluskon dhe nervat shkatërrohen – mund të prekin këdo brenda një rrezeje prej 8 kilometrash. Djegiet e shkallës së parë mund të ndodhin deri në 11 kilometra larg, në varësi të motit dhe veshjes.
Si të mbijetosh një shpërthim bërthamor?
Drita udhëton më shpejt se nxehtësia. Në një ditë të kthjellët, njerëzit deri në 21 kilometra larg mund të përjetojnë verbim të menjëhershëm nga ndriçimi i shpërthimit. Natën, kjo distancë shkon deri në 85 kilometra, për shkak të hapjes së bebëzave. S’është nevoja ta shohësh shpërthimin për të ndjerë pasojat.
As vala goditëse nuk është më e butë. Brenda një rrezeje prej 6 kilometrash, shpejtësia e erës mund të kalojë 255 km/h, e mjaftueshme për të rrëzuar ndërtesa dhe për të fluturuar njerëzit tutje. Më afër epiqendrës, kjo shpejtësi arrin 750 km/h, dhe presioni i ajrit është aq i lartë sa rrënon pothuajse çdo strukturë. Edhe nëse je jashtë rrezes së nxehtësisë, mbetjet fluturuese apo ndërtesat që shemben mund të të marrin jetën.
Dhe pastaj vjen rrezatimi. Një shpërthim në nivel toke mund të shpërndajë grimca helmuese për qindra kilometra, duke ndotur tokën, ajrin dhe ujin. Gjurmë nga testet bërthamore të Luftës së Ftohtë janë gjetur deri në thellësitë e Hendekut të Marianës – aq larg mund të përhapet kjo ndotje.
Nëse je me fat që ndodhesh më shumë se 30 deri në 40 kilometra larg, brenda një ndërtese dhe në drejtim të kundërt të erës nga shpërthimi, mund të mbijetosh valën fillestare. Por kjo është vetëm fillimi. Një simulim i vitit 2019 tregoi se një luftë bërthamore në shkallë të gjerë mund të shkaktonte një dimër bërthamor në mbarë planetin për vetëm pak ditë.
Sot në botë ekzistojnë mbi 12 mijë koka bërthamore. Pra jo, kjo nuk është një çështje teorike. Nëse diçka ndodh, të jesh larg nuk do të thotë të jesh i sigurt. Por mund të të japë pak më shumë kohë.