A sjellin paratë lumturinë? Kjo pyetje e lashtë ka pasur dhe më herët një përgjigjie: Paratë japin lumturinë nëse përdoren për të pasur kohë të lirë. Aktualisht një studim i ri i udhëhequr nga Departamenti i Shkencave Psikologjike në Purdue University në Shtetet e Bashkuara ka sjellë në dritë diçka më shumë.
Thënë në mënyrë sintetike paratë të bëjnë të lumtur vetëm nëse ato nuk janë të tepërta. Nëse tejkalohet një lloj pragu, atëherë duket se lumturia nis të reduktohet. Studimi i publikuar në revistën Nature Human Behaviour përcakton madje edhe pragun kritik që nuk duhet kaluar. Të ardhurat ideale për të qenë të kënaqur përllogariten 95 mijë dollar në vit ose 80 mijë euro, fitim neto.
Për të qenë emocionalisht të qetë mjafton që të fitoni diçka të përafërt që përllogaritet tek 48-60 mijë euro në vit. Një shumë që do të rezultonte optimale madje edhe për familjet me fëmijë edhe pse shpenzimet mund të jenë disi më të larta. Megjithatë ky prag nuk është i pandryshueshëm. Nga Australia dhe Zelanda e Re e deri tek Amerika Latine dhe vendet Karaibe, niveli i të ardhurave vjen në një kurbë rënëse.
Për të përcaktuar limitet, kërkuesit kanë përdorur të dhënat e mbledhura nga shoqëria amerikane e konsulencës, World Gallup World, që ka ndërtuar një hartë me të ardhurat e më shumë se 1.7 milionë njerëz në 164 vende të botës. Studimi është munduar të shpjegojë edhe përse pas arritjes së vlerës së identifikuar si “prag” është mirë të mos tejkalohet.
“Paratë – shpjegojnë hulumtuesit- të bëjnë të lumtur nëse përmbushin nevoja bazike, sikurse të pasurit një shtëpi, të përballuarit të shpenzimeve, dhe të bërit një jetë dinjitoze. Nëse përmbushen këto nevoja, ekziston rreziku qe të hyhet në një spirale nevojash ‘artificiale’ dhe të tepërta të cilat nuk favorizojnë lumturinë. Pak rëndësi ka nëse je burrë apo grua, sipas studiuesve, diferenca gjinore në këtë raport është një faktor periferik. Ajo çka ndikon është niveli i studimeve që përcakton direkt nivelin e lartë të të ardhurave personale.










