Kanë mbetur edhe pak ditë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen në Republikën e Maqedonisë më 11 dhjetor, ndërsa partitë dhe koalicionet shqiptare vazhdojnë fushatat dhe takimet për të bindur sa më shumë qytetarë që të votojnë për ta.
Por, për sa deputetë po luftojnë të marrin partitë shqiptare dhe a është më e rëndësishme për ta zyrtarizimi i gjuhës shqipe dhe mirëqënia e shqiptarëve të Maqedonisë, apo thjesht mbledhja e sa shumë votave?
Kujtojmë se në zgjedhjet e të dielës janë në garë 11 subjekte politike, pesë prej të tyre shqiptare, të cilat garojnë për 120 deri në 123 ulëse në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Bashkimi i të gjitha partive politike shqiptare në një subjekt të vetëm, mund t’u siguronte shqiptarëve rreth 40 deputetë, numër ky i konsiderueshëm për të përfaqësuar denjësisht qytetarin shqiptar në Maqedoni.
Por, shqiptarët po garojnë të përçarë në këto zgjedhje, përveç tre partive (LR-PDSH, Uniteti, RDK) të bashkuara rreth koalicionit “Aleanca për Shqiptarët”.
Bazuar në premtimet elektorale të partive shqiptare, ata kanë primar qytetarin shqiptar që të jetë i barabartë në mesin e qytetarëve maqedonas, të flasin lirisht gjuhën shqipe, të paguhen dhe të punësohen njësoj.
Por a mund të përfaqësohet ky komunitet aq fuqishëm sa mund të përfaqësohej nëse partitë politike shqiptare në Maqedoni do të garonin si një e vetme e bashkuar?
Natyrisht që jo, edhe pse epilogun e kësaj do ta shohim të gjithë sëbashku të dielën në darkë.
Edhe vet qytetari shqiptar e ka kuptuar që në thelb, “premtimet” elektorale të liderëve të partive shqiptare janë më të forta se sa qëllimi i përbashkët për avancimin e të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë, gjë e cila edhe në këto zgjedhje mbetet “e thënë” dhe jo “e bërë”. /albeu/sidorela,janca










