Sanda Rashkoviq: Vuçiqi do të donte të mobilizonte fëmijë sikur “xhihadistët” apo Hitleri në 1945

Deputetja e Partisë Popullore, psikiatri Sanda Rashkoviq Iviq theksoi se presidenti serb Aleksandar Vuçiq synon të mobilizojë fëmijët serbë për luftë, siç bëri Adolf Hitleri në vitin 1945 apo sikur në vendet ku mbretëron xhihadi.

Duke komentuar deklaratën e Vuçiqit se fëmijët serbë të moshës 12 dhe 13 vjeçare në Kosovë janë gati të vdesin “sepse janë ngopur me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti”, Rashkoviq Iviq tha se kjo deklaratë ishte e çmendur dhe e papërgjegjshme.

“Ka shumë kohë që nuk kam dëgjuar diçka kaq të çmendur, të pashpirt dhe të papërgjegjshme. Të thuash se fëmijët 12 dhe 13 vjeç duan të vdesin është tipike vetëm për shtetet islamike ku mbretëron xhihadi. Kështu ishte edhe në vitin 1945 në Gjermaninë naziste, kur Hitleri nuk kishte më askënd që të mobilizonte për luftë”, tha Raškoviq Iviq.

Kur agjencia Beta e pyeti nëse presidenti Vuçiq duhet t’i nënshtrohet mbikëqyrjes psikiatrike për shkak të një deklarate të tillë, Rashkoviq Iviq tha se, si psikiatër, ajo nuk do të mund t’i përgjigjej kësaj pyetjeje pa një ekzaminim paraprak tet a tet.

Ajo shtoi se futja e fëmijëve të mitur në konfliktet në Kosovë tregon se Vuçiq nuk ka ndonjë zgjidhje të arsyeshme për çështjen e Kosovës.

“Vuçiq e pranoi planin franko-gjerman dhe tani po thotë se fëmijët serbë janë gati të vdesin kundër atyre me të cilët është pajtuar me atë plan”, tha Raškoviq Iviq.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha dje se situata në Kosovë është “tmerrësisht e rëndë dhe se fëmijët e moshës 12 dhe 13 vjeç janë gati të vdesin sepse të gjithë janë ngopur me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti”.

“Nuk duroj dot më fizikisht. Nuk mund të fle çdo natë. Sepse ndryshe nga ju, unë e di se çfarë ndodh çdo natë në veri të Kosovës. Fjalë për fjalë gjithçka vlon. Fëmijët e moshës 12, 13 vjeç janë gati të vdesin, gjë që duhet ta parandalojmë. Janë ngopur me Kurtin”, tha Vuçiq në konferencën për media pas takimit me presidenten e Sllovenisë Natasha Pirc Musar.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu