Ministria e Mbrojtjes së shpejti do të shpallë konkurs për pranimin e 300 ushtarëve të rinj në Armatën e Maqedonisë së Veriut, njoftoi ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski. Ministri informoi se pritet që shpallja të publikohet pasi të merren dokumentet e nevojshme nga Ministria e Financave, në mënyrë që pranimi të fillojë tashmë në afatin pranveror.
“Kur të vijnë nga financat të gjitha dokumentet e nevojshme, do t’i shpallim konkurset, shpresojmë tashmë në afatin pranveror që po vjen, në mënyrë që sa më shumë persona të hyjnë, të konkurrojnë mes vete dhe të bëhen pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes, pra e Ushtrisë”, tha Misajllovski.
Ai theksoi se ekziston interes nga të rinjtë dhe se stafi dhe njësitë speciale janë në nivel të lartë të trajnimit. Misajllovski shtoi se me rritjen e buxhetit për mbrojtje do të krijohen kushte edhe për përmirësimin e statusit dhe të pagave të pjesëtarëve të Ushtrisë.
“Vitit të kaluar, që nga janari, të gjithë të punësuarit në Ministri morën një rritje prej 30 për qind të pagave të tyre. Kur të rritet buxheti i Ministrisë, natyrisht që do të kujdesemi që edhe stafi të paguhet më mirë, dhe këtë mund ta premtoj,” tha Misajllovski.
Ministri gjithashtu njoftoi se së shpejti do të ketë një vendim me të cilin ushtarët që mbushin 45 vjeç do të mund të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në Ushtri.
“Ka iniciativa, dhe më e rëndësishmja është se si të mbahen të gjithë ushtarët që mbushin 45 vjet. Mendoj se së shpejti do të ketë një zgjidhje, me të cilën të gjithë do të jenë të kënaqur, si të mbajmë të gjithë ushtarët në Ushtri, në mënyrë që të japin kontribut shtesë”, tha Misajllovski në Sitel.










