Serbia bllokon emigrantët në një qendër të Beogradit

Serbia ka vendosur të bllokojë emigrantët në qendrën për refugjatë në Beograd. Zyrtarët serbë kanë thënë sot se emigrantët që momentalisht po qëndrojnë në qendrën për refugjatë të kryeqytetit të Serbisë duhet të marrin leje të veçantë për tu larguar nga qendra.

Ata që marrin leje të veçantë, duhet patjetër të kthehen në qendër më së largu në orën 10 të mbrëmjes.

Kjo masë është ndërmarrë pasi një grua është ankuar se është sulmuar nga emigrantët në afërsi të kampit, derisa ecte me tre fëmijët e saj. Ajo është ankuar se emigrantët kanë dashur t’ia marrin karrocën me foshnjën e saj në të. Zyrtarët kanë thënë se policia po e heton rastin.

Rreth 550 emigrantë po qëndrojnë në këtë kamp. Nuk dihet ende nëse e njëjta masë është vendosur edhe për qendrat tjera të refugjatëve në Serbi.

Rreth 7 mijë emigrantë kanë mbetur në Serbi pasi vendet ballkanike kanë mbyllur rrugët për refugjatët që duan të shkojnë drejt vendeve anëtare të BE-së.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu