Serbia injoron thirrjet e Grenellit dhe QUINT-it, vazhdon fushatën kundër Kosovës

Serbia e Aleksander Vuçiqit vazhdon që në mënyrë sistematike të injorojë thirrjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera të QUINT-it për ndaljen e fushatës agresive kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës me qëllim të rinisjes së dialogut për normalizim të raporteve Prishtinë – Beograd

Sot shefi i diplomacisë së Serbisë, Ivica Daçiq, ka prezantuar edhe një letër duke pretenduar se Sierra Leone ka tërhequr njohjen për pavarësinë e Kosovës.

Ndërkohë, hiç më larg se më 23 janar të këtij viti, Përfaqësuesi Special Presidencial i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, kishte bërë thirrje që Beogradi zyrtar ta ndalë fushatën e çnjohjeve.

Kërkesë për ndaljen e fushatës kundër pavarësisë së Kosovës, Serbisë i kishte shkuar edhe nga të gjithë shtetet e QUINT-it.

Në një letër ku kërkonin heqjen e taksës, QUINT-i kërkonte që edhe Serbia të ndalte lobimin kundër pavarësisë së Kosovës.

“Kërkojmë nga të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e cila është e nevojshme për të dy vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse”, thuhet në deklaratën e përbashkët të këtyre shteteve. Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës”, përfundon deklarata e përbashkët”, thuhej në kërkesën e QUINT-it të lëshuar vitin e kaluar.

Ndërkohë, lidhur me pretendimet e Serbisë për çnjohjen nga Sierra Leone ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, duke thënë se s’kanë pranuar asnjë notë verbale lidhur me ndonjë vendim eventual të Sierra Leone për heqje të njohjes.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu