Serbia s’ka të ndalur, kundërshton anëtarësimin e Kosovës në UNESCO

Dimitris Moschopoulos, këshilltar i jashtëm i Qeverisë së Kosovës, sa i përket trashëgimisë ortodokse serbe në Kosovë, ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të provojnë prapë për t’u bërë pjesë e UNESCO-s. Por Moschopoulos ka numëruar disa detyra që sipas tij Kosova duhet t’i plotësojë.

“Është Ligji për liritë fetare. Vitin e kaluar Kuvendi ia ka kthyer atë Qeverisë. Strategjia dhjetëvjeçare për trashëgimi kulturore tashmë është miratuar me kontributin e disa diplomatëve. Ka një përmbajtje të mirë ku edhe Kisha Ortodokse Serbe ndihet komode. Është edhe Projektligji për trashëgimi kulturore. Në prill të vitit 2015, Projektligji ishte prezantuar për publikun. Ka pasur kritika nga bashkësia ndërkombëtare e ekspertët e trashëgimisë kulturore”, ka thënë ai. Sipas Moschopoulos, Projektligji përcaktonte se monumentet arkitekturore që përbëjnë trashëgiminë kulturore të Kosovës janë pronë e Republikës së Kosovës.

“Kjo i bie që Manastiri i Deçanit, që është atje për shtatë shekuj duhet të jetë pronë e Kosovës. Kjo ishte diçka, sikur të kthehen gjërat në kohën e Stalinit. Kjo nuk ishte e pranueshme. Në planin legjislativ të Qeverisë për vitin e kaluar ishte edhe Projektligji për trashëgimi kulturore. Por puna për të nuk ka filluar ende, dhe duhet të fillojë”, ka thënë ai në debatin e moderuar nga kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore”, Agron Bajrami.

“Nëse Plani i Ahtisaarit do të implementohej krejtësisht, Kisha Ortodokse Serbe do të ndihej komode”, ka thënë Moschopoulos.

Por me këtë diplomat nuk është pajtuar filozofi e kritiku Shkëlzen Maliqi.

U përket monumenteve që janë nën Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, Maliqi ka thënë se Serbia bën shumë gabim që i shpall ato trashëgimi të sajën, pasi mundohet që nëpërmjet këtyre aseteve të kontrollojë Kosovën. “Më herët popullsia lokale shqiptare e ka mbrojtur këtë trashëgimi”, ka thënë Maliqi.

E kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka thënë se qasja e Serbisë ndaj tentimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO, ishte kundërshtuese për ta mbajtur në pah kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës. “…harrohet shkatërrimi i trashëgimisë kulturore në Vukovar, Sarajevë e në shumë vende tjera, ashtu sikurse edhe në Kosovë trashëgimia islame. Kjo çështje është jashtë debatit. Në këtë aspekt çështja është politizuar e trashëgimia kulturore është çështje politike e jo trashëgimi. Mendoj se ky është problem i madh”, ka thënë ajo.

Aleksandar Pavloviq, hulumtues në Institutin për Filozofi dhe Teori Sociale në Beograd, ka thënë se politikat zyrtare të Serbisë po përdorin gjithçka që të pamundësojnë që Kosova të jetë anëtare e UNESCO-s. “Çështja e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, sipas mendimit tim, nuk është çështje nëse dhe apo, por kur. Në votimin e vitit 2015 Kosovës i munguan vetëm tri vota që të pranohej”, ka thënë ai, duke shtuar se sidoqoftë votat ishin në favor të Kosovës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu