SHBA bllokon hyrjen e gomave kineze që prodhohen në Serbi, ja arsyet?

Doganat dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së (CBP) njoftuan se kanë vendosur të ndalojnë në të gjitha pikat e hyrjes në SHBA dërgesat e gomave të automjeteve të prodhuara në fabrikën serbe të kompanisë kineze Linglong, për shkak të dyshimeve për përdorim të punës së detyruar në prodhimin e tyre, shkruan Seenews.

Vendimi pason një hetim të CBP-së, e cila shqyrtoi prova që tregojnë se Linglong prodhon goma automjetesh duke përdorur punë të detyruar nga burime të shumta, përfshirë dëshmi punëtorësh, fotografi, kontrata pune, shënime nga grupe fokusi në terren, pamje ekrani të mesazheve, raporte të organizatave joqeveritare, mbulim mediatik dhe kërkime akademike, thuhet në një njoftim për shtyp të CBP-së të enjten, përcjell INA.

Në bazë të këtyre provave, CBP ka përcaktuar se punëtorët në Linglong i nënshtrohen nëntë treguesve të punës së detyruar, sipas përkufizimit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO). Këta tregues përfshijnë mbajtjen e dokumenteve të identitetit, frikësim dhe kërcënime, izolim, orë pune të tepërta, mbajtje pagash, borxhe detyruese, kushte abuzive jetese dhe pune, mashtrim dhe shfrytëzim të cenueshmërisë. Të marra së bashku, këto gjetje krijojnë dyshim të arsyeshëm se puna është e pavullnetshme dhe kryhet nën kërcënimin e ndëshkimit, sipas CBP-së.

Mediat serbe dhe OJQ-të lokale prej vitesh kanë shprehur shqetësime për shfrytëzimin e dyshuar të punëtorëve në fabrikën e Linglong në qytetin verior të Zrenjaninit.

Në vitin 2021, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë duke i bërë thirrje qeverisë serbe të hetojë shkeljet e dyshuara të të drejtave të njeriut dhe trafikimin e qenieve njerëzore të rreth 500 vietnamezëve në kantierin e ndërtimit të fabrikës.

Në dhjetor të vitit të kaluar, revista gjermane e biznesit ManagerMagazin raportoi se prodhuesi i automjeteve MAN Truck & Bus kishte ndaluar porositë e gomave nga fabrika e Zrenjaninit për shkak të dyshimeve për shkelje të të drejtave të njeriut.

Linglong nisi ndërtimin e fabrikës në Serbi në prill 2019, me plan për të prodhuar 14 milionë goma në vit. Prodhimi i gomave për kamionë filloi në vitin 2023, ndërsa prodhimi i gomave për vetura në fillim të vitit 2024. Prodhimi serik në këtë lokacion u lançua në shtator 2024.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se fabrika e Linglong është investimi më i madh “greenfield” në vend, me vlerë të vlerësuar rreth 1 miliard euro (1.2 miliardë dollarë).

Sipas të dhënave të Dhomës së Tregtisë së Serbisë, gomat ishin eksporti kryesor i Serbisë drejt SHBA-së në vitin 2024, me dërgesa me vlerë rreth 124 milionë euro.

Në Serbi, Linglong operon përmes degës së saj Linglong International Europe./Seenews


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu