Kryeredaktori Romir Saraçi ka komentuar deklaratat e të ngarkuarës me punë të SHBA në Shqipëri, duke i cilësuar si një mesazh të drejtpërdrejtë kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë shqiptare.
Në një intervistë për “Task Force” në Syri TV, Saraçi u shpreh se lufta e SHBA ndaj trafikut të drogës ka qenë e vazhdueshme, por në nivelet aktuale ajo përfaqëson një aksion kombëtar që, sipas tij, godet eksponentë të lartë të pushtetit në Tiranë.
“Mesazhet e SHBA janë kronologjike dhe të adresuara drejtëpërdrejtë ndaj qeverisë shqiptare. Flitet për lidhje korruptive që favorizojnë trafikun e drogës, për pastrimin e parave dhe mbrojtjen që u ka dhënë shteti grupeve kriminale,” tha Saraçi.
Një nga pikat më të theksuara, sipas tij, lidhet me SPAK. Saraçi theksoi se SHBA kërkon garanci totale për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, duke paralajmëruar se procesi nuk duhet të ndikohet nga interesat e qeverisë. Ai përmendi gjithashtu rastin e Olsi Ramës, për të cilin deklaroi se SPAK nuk ka bërë hetime të plota.
Në fund, Saraçi paralajmëroi zhvillime të forta në ditët në vijim në drejtësi, duke nënvizuar se priten goditje ndaj organizatave kriminale të lidhura me pushtetin dhe persona të fuqishëm në qeveri.