Senati amerikan i dha fund pritjes disamujore të hënën vonë duke miratuar me shumicë dërrmuese projektligjin stimulues rreth koronavirusit prej 900 miliardë dollarësh, e cili tani i’u dërgua presidentit Donald Trump për nënshkrim. Votimi me 92 vota për dhe 6 kundër miraton gjithashtu projektligjin e gjerë të shpenzimeve prej 1,4 trilion dollarësh që do të financojë qeverinë e SHBA-së deri në shtator 2021.
Dhoma e Përfaqësuesve më parë të hënën në mbrëmje votoi me 359 për dhe 53 kundër për miratimin e pakos, që do të thotë se tani do të drejtohet në tryezën e Trump-it. Ai pritet të shtojë nënshkrimin e tij në ditët në vijim. Megjithëse do të sigurojë një masë lehtësimi për ekonominë amerikane e cila vuan nga dëmet e koronavirusit, shumica e demokratëve kërkuan më shumë në pakon përfundimtare.
Por një marrëveshje e arritur midis udhëheqësve të Kongresit të dielën në mbrëmje përcaktoi nivelin e pagesave direkte në 600 dollarë për individ, të ardhurat e të cilit janë nën 75.000 dollarë në vit dhe çiftet e martuara, të ardhurat vjetore të kombinuara të të cilëve janë 150.000 dollarë. Një shtesë prej 600 dollarësh për fëmijët në varësi gjithashtu do të përfshihet në pagesa për familjet.
Kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi tha se ndërsa stimuli nuk përmbush gjithçka që demokratët kishin kërkuar, ajo e përshkroi atë si një “hap të parë”.
“Unë kam shpresë, për shkak të zgjedhjes së Joe Biden-it si president i Shteteve të Bashkuara, një president i cili do të ndjekë shkencën dhe ai do të pranojë që ne duhet të plotësojmë nevojat e të gjithë popullit amerikan“, deklaroi ajo.
Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin i tha rrjetit televiziv CNBC se amerikanët do të fillojnë të marrin pagesat deri në fillim të javës së ardhshme. Nën stimulimin, ndihma e papunësisë do të rritet me 300 dollarë për 11 javë pasi gati 7 për qind e fuqisë punëtore amerikane është pa punë. Financimi po rritet gjithashtu për bizneset e vogla, testimin e COVID dhe njerëzit që përballen me largim.
Paketa është më pak se gjysma e asaj që ligjvënësit miratuan në mars, kur ata miratuan projektligjin më të madh të stimulit fiskal të regjistruar, me vlerë prej 2,2 trilionë dollarësh. Por pakoja më e re e ndihmës qëndron ende si e dyta për nga madhësia në historinë e SHBA-së.









