SHBA ndërhyn në Karabak, prej të hënës futet në fuqi armëpushimi

Një armëpushim humanitar do të hyjë në fuqi nesër në mëngjes në enklavën malore të Nagorno-Karabakut, e cila është shndërruar në një arenë të luftimeve midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, njoftoi sot Departamenti i Shtetit.

Njoftimi vjen pasi sekretari i Shtetit Mike Pompeo u takua të premten me ministrat e Jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit në Uashington, në një shtytje të re për paqen dhe një takim të bashkë-kryetarëve të Grupit Minsk të OSBE-së, i formuar për të ndërmjetësuar konfliktin.

“Gjatë diskutimeve intensive, bashkëkryetarët dhe ministrat e jashtëm diskutuan zbatimin e një armëpushimi të menjëhershëm humanitar, parametrat e mundshëm për monitorimin e armëpushimit dhe fillimin e diskutimit të elementeve thelbësorë të një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse,” thuhet në deklaratën e Grupit të Minskut.

Paralajmërimi për një armëpushim humanitar vjen në kohën kur luftime të reja shpërthyen sot midis Azerbajxhanit dhe forcave etnike armene.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu