SHBA për dy ditë ja sa miliardë dollarë harxhoi në luftën me Iranin?

Konflikti aktual me Iranin ka hapur pyetje serioze mbi efektivitetin e strategjisë ushtarake amerikane, veçanërisht në lidhje me kostot e mbrojtjes.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Pete Hegseth dha një paralajmërim mbi kostot dhe strategjitë.

“Nuk mund t’ia lejojmë vetes të rrëzojmë dronë të lirë me raketa që kushtojnë dy milionë dollarë” – deklaroi Hegseth.

Vetëm në dy ditët e para të konfliktit, SHBA-të kanë shpenzuar rreth 5.6 miliardë dollarë për municion, ndërsa Irani përdor dronë të tipit “Shahed”, kostoja e të cilëve vlerësohet mes 20.000 dhe 50.000 dollarëve.

Këto sulme kanë goditur baza ushtarake, objekte turistike dhe qendra të të dhënave, duke theksuar edhe më shumë diferencën mes kostove të sulmit dhe mbrojtjes.

Konflikti ka hapur gjithashtu derën për teknologji të reja dhe bashkëpunim më të madh me sektorin teknologjik. Kompanitë nga Silicon Valley po përpiqen të sigurojnë një pjesë më të madhe të buxhetit të Pentagonit, i cili tradicionalisht dominohet nga gjigantë si Lockheed Martin, RTX Corporation dhe Northrop Grumman.

Vitin e kaluar, investimet në teknologjinë e mbrojtjes pothuajse u dyfishuan dhe arritën në 49.9 miliardë dollarë, por ende përfaqësojnë më pak se një përqind të kontratave totale.

Si përgjigje, SHBA-të po zhvillojnë dronë të tyre luftarakë me kosto të ulët, si modeli LUCAS, i cili kushton rreth 35.000 dollarë për njësi. Megjithatë, prodhimi është i kufizuar dhe operacionet vazhdojnë të mbështeten në avionë dhe bombardues tradicionalë.

Paralelisht, po zhvillohen edhe sisteme të reja për mbrojtje kundër dronëve, përfshirë teknologji lazerike, ku kostoja për “qitje” mund të jetë më pak se pesë dollarë.

Pavarësisht kësaj, buxheti për këto teknologji për vitin 2026 është rreth 4.7 miliardë dollarë, që përbën një pjesë relativisht të vogël të shpenzimeve totale ushtarake.

Lufta ka rritur kërkesën, dhe Pentagoni kërkon përshpejtimin e prodhimit. Megjithatë, shumë kompani hezitojnë të investojnë pa kontrata të sigurta, për shkak të kostove të larta dhe zinxhirëve kompleksë të furnizimit.

Administrata amerikane planifikon një rritje të konsiderueshme të buxhetit ushtarak, me qëllim që të arrijë në 1.5 trilion dollarë deri në vitin 2027, me fokus në teknologjitë e reja dhe sistemet pa pilot./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu