Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Mike Pompeo, i bëri thirrje Rusisë për lirimin e menjëhershëm të liderit opozitar rus Alexey Navalny, i cili u arrestua në Moskë pas kthimit nga Gjermania. Pompeo reagoi ndaj qeverisë së Moskës duke bërë një deklaratë me shkrim në lidhje me ndalimin e opozitarit rus Navalny.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë me forcë ndalimin Alexei Navalny-t nga Rusia. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të Navalny-t“. tha ai, duke theksuar se Rusia duhet t’u ofrojë hapësirë të gjithapartive politike në procesin zgjedhor.
Ndryshe, 44-vjeçari Navalny është një kritik i ashpër i presidentit rus Vladimir Putin. Ai u sëmur në muajin gusht të vitit 2020 gjatë një fluturimi për në Moskë. Pas aterimit emergjent në qytetin siberian Omsk, ai kaloi dy ditë në një spital rus dhe më pas u dërgua në Berlin për mjekim.
Pas testeve në disa laboratorë, zyrtarët gjermanë thanë se Navalny ishte helmuar me agjentin nervor “Novichok“, i cili gjithashtu u përdor, sipas qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, në një sulm të vitit 2018 ndaj ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij në qytetin britanik të Salisbury. Navalny u arrestua menjëherë pas mbërritjes në aeroportin e Moskës nga Gjermania.









