Shefi amerikan i Mbrojtjes: Lufta e ardhshme e madhe do të jetë shumë më ndryshe

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Gjeneral Lloyd Austin, tha të premten se ShBA-ja duhet të përgatitet për një konflikt të mundshëm në të ardhmen pa i marrë shumë si shembull luftërat e vjetra.

Austin bëri thirrje për përforcim të avancimeve teknologjike dhe për integrim më të mirë të operacioneve ushtarake në nivel global në mënyrë që, siç u shpreh ai, të kuptohet më shpejt, të vendoset më shpejt dhe të veprohet më shpejts.

“Mënyra se si do të luftojnë në luftën e ardhshme të rëndësishme do të duket shumë më ndryshe nga mënyra se si kemi luftuar në luftërat e fundit”, tha shefi amerikan i Mbrojtjes gjatë një udhëtimi në Komandën e Paqësorit në Hawaii.

Ai nuk përmendi në mënyrë eksplicite shtete rivale si Rusia apo Kina, por komentet e tij erdhën në kohën kur Shtetet e Bashkuara e filluan tërheqjen e trupave nga Afganistani si pjesë e ricaktimit të politikave të Pentagonit nga presidenti Joe Biden.

“Ne s’mund ta parashikojmë të ardhmen, prandaj ajo për të cilën kemi nevojë është kombinimi i duhur i teknologjisë së përzier, koncepteve dhe shkathtësive operacionale – të gjitha të thurura së bashku në një mënyrë të ndërlidhur që është shumë e besueshme, shumë fleksibile dhe shumë e frikshme, saqë do ta ndalë secilin kundërshtar”, shtoi ai.

Sipas zyrtarit të lartë amerikan, reagimi i Shteteve të Bashkuara në rast të ndonjë konflikti do të ishte i tërthortë dhe në atë rast do të mund të përdoreshin mjetet luftarake kibernetike për t’iu kundërpërgjigjur një incidenti detar qindra milje larg.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu