Shkëndija e Haraçinës që garon në ligën e Dytë, eliminoi Rabotniçkin e Ligës së Parë me rezultat 3:1 në çerekfinalen e Kupës së Maqedonisë, e zhvilluar sot në Kumanovë. Ashtu si vitin e kaluar në raundin e parë, edhe këtë herë skuadra nga Haraçina u tregua “e kobshme” për Rabotniçkin, duke e eliminuar për herë të dytë radhazi, njofton Telegrafi.
Ky është një moment historik për Shkëndijën e Haraçinës, pasi për herë të parë në historinë e klubit siguron kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë. Në gjysmëfinale do të përballet, në dy ndeshje, me fituesin e çiftit Struga TL – Shkëndija e Tetovës.
Ndeshja nisi me dominimin dhe besimin e skuadrës nga Haraçina. Në minutën e 40-të, Dario Desniq realizoi një super gol për epërsinë 1:0, rezultat me të cilin skuadrat shkuan në pushim.
Në minutën e 60-të, Zhoglev dyfishoi shifrat në 2:0, ndërsa vetëm tre minuta më pas Demiri, me një goditje të bukur nga ndërprerja, ngushtoi rezultatin në 2:1. Vlen të theksohet se Rabotniçki prej minutës së 58-të luajti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Pejoviqit.
Në minutën e 68-të, arbitri Aleksandar Grujoski akordoi penallti për vendasit, por pas ndërhyrjes së VAR-it dhe rishikimit të aksionit, ai ndryshoi vendimin. Megjithatë, Shkëndija e Haraçinës nuk u ndal. Në minutën e 85-të, Nazifi vulosi fitoren 3:1, duke konfirmuar kualifikimin historik të skuadrës nga Haraçina.
Ndërkohë, aktualisht mbajtësi i trofeut, Vardari, është eliminuar në çerekfinale të këtij edicioni të Kupës së Maqedonisë, pasi në Kompleksin “Petar Miloshevski”, pas ekzekutimit më të mirë të penalltive, më i suksesshëm rezultoi skuadra e Ohrit. Edhe në këtë rast ekipi i Ligës së Dytë, Ohri që është lider, eliminoi një tjetër ekip të Ligës së Parë, edhe atë liderin aktual Vardarin
Çiftet tjera çerekfinale janë: Struga – Shkëndija e Tetovës dhe Detonit – Sileksi./Telegrafi/










