Shkoi në Turqi për të mbjellë flokët, vdes pas transplantit 36-vjeçari shqiptar

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Turqi, ku Mentor Rama, një 36-vjeçar shqiptar me shtetësi britanike, ka humbur jetën në Stamboll. Vdekja e tij erdhi pasi ai shkoi atje për t’iu nënshtruar një transplanti flokësh dhe një trajtimi dentar.

Ai kishte qëndruar në një hotel në zonën e Şişli-t, pranë klinikës ku bëri transplantin. Një ditë më vonë, ai iu nënshtrua edhe një procedure dentare, por më pas u rrëzua pa ndjenja në hotel. Mentor Rama u dërgua me urgjencë në spitalin Seyrantepe Hamidiye Etfal, ku u shpall i vdekur rreth orës 16:30, më 11 nëntor.

Pas autopsisë, trupi i tij iu dorëzua familjarëve dhe u kthye në vendlindje.

Autoritetet turke kanë nisur një hetim mbi rastin.

Çmimi i ulët i procedurave estetike po tërheq gjithnjë e më shumë shtetas britanikë drejt Turqisë, ku një transplant flokësh mund të kushtojë rreth 1500 paund, shumë më pak se mbi 10,000 paund në Britaninë e Madhe, raportojnë mediat britanike.

Vetëm në vitin 2022, rreth 150 mijë britanikë udhëtuan drejt Turqisë për ndërhyrje estetike. Mjekët në këtë vend raportohet të kryejnë rreth 60% të të gjitha transplanteve të flokëve në botë.

Në gusht, një 38-vjeçar tjetër nga Britania humbi jetën pas udhëtimit në Turqi për transplant flokësh në një klinikë private në Stamboll.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu