Shkollat po mbesin pa nxënës, familjet ikin në perëndim (VIDEO)

Kjo orë mësimi në shkollën fillore “Bajram Shabani” në Kumanovë ishte e fundit për nxënësin e klasës së parë Milot Emini. Ai shfrytëzoi këtë orë për të mësuar edhe shkronjat e mbetura të alfabetit të gjuhës shqipe për shkak se të nesërmen po nisej drejt Gjermanisë për të filluar një jetë të re bashkë me familjen e tij. I mërzitur që po ndahej nga shkolla, mësuesja dhe shokët e klasës, Miloti tha se ata gjithmonë do të mbeten në kujtimet e tij më të bukura.

Miloti nuk është i vetmi nxënës që po largohet nga klasa e parë. Para tij, janë larguar edhe dy nxënës të tjerë, thotë mësuesja Myqereme Nevzadi.

Edhe drejtori Mustafë Ebibi pranon se nga viti në vit po ulet numri i nxënësve në Kumanovë. Në shkollën “Bajrami Shabani” për pesë vite 81 nxënës më pak janë ulur në bankat shkollore. Ndërsa, vetëm këtë vit shkollor 15 nxënës do të largohen jashtë vendit, disa prej të cilëve tashmë janë larguar.

Dukuria e tillë ka prekur edhe shumë komuna të tjera të Maqedonisë. Në Komunën e Gostivarit numri i nxënësve në ciklin fillor dhe të mesëm dukshëm është ulur në tre vitet e fundit. Siç raportojnë nga kjo komunë, në ciklin fillor numri i nxënësve është ulur për 138 nxënës, ndërsa në atë të mesëm për 559 nxënës. Pavarësisht të gjithave, Miloti ashtu sikurse edhe shumë të tillë si ai, shpreson se një ditë sërish do të kthehet në vendlindje për t’u bashkuar me familjarët dhe shoqërinë e tij.

VIDEO:


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu