Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mbrëmë ka mbajtur konferencë për medie pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, të cilën e thirri kryeministi Albin Kurti me kërkesën e presidentit, për të biseduar për gjendjen dhe masat që duhet të ndërmerren për të luftuar në mënyrë më efikase pandeminë. Ai gjatë kësaj konference ka propozuar të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në vend.
Por, zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, ka bërë të ditur se kryeministri, Albin Kurti, do të kundërshtojë propozimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaci, që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme. Presidenti Thaçi propozoi vendosjen e kësaj mase pas konfirmimit të 19 rasteve me koronavirus në Kosovë.
“Kemi parë propozimin e presidentit, por këtë e konsiderojmë ndërhyrje në punën e qeverisë. Kemi marrë lëvdata nga ambasada e SHBA-ve dhe Britanisë për punën që po e bëjmë. Besojmë që me këtë formë të bashkëpunimit institucional do të vazhdojmë. Kryeministri ka bërë të ditur se nuk është në pajtueshmëri me masën ekstreme të propozuar nga presidenti sonte. Sidoqoftë këtë do e shikojmë në të ardhmen, nëse do ketë nevojë. Për momentin nuk kemi nevojë për një masë të tillë. Kemi qenë ndër shtetet e para që kemi marë masa, sikur mbyllja e shkollave”, tha ai.










