‘Shqiptar i mirë, shqiptari i vdekur’, reagon Ministria e Jashtme e Shqipërisë

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar në lidhje me thirrjet raciste të dëgjuara në Krushevë të Maqedonisë, ku ndër të tjera u dëgjuan brohoritje: “Shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur”. Nisur nga këto thirrje, të bëra në Meçkin Kamen në Krushevë me rastin e festës së Ilindenit, në sy të presidentit maqedonas Gjorgje Ivanovit, ministria shqiptare shprehet se raste të tilla janë të dënueshme dhe se duhen izoluar.

“MEPJ shpreh keqardhjen dhe dënon gjuhën e urrejtjes dhe thirrjet raciste antishqiptare të hedhura dje gjatë ceremonise së festimit të kryengritjes së Ilindenit në Meçkin Kamen në Krushevë. Besojmë se këto janë veprime të një grupi të vogël njerëzish të nxitur nga ndjenjat nacionaliste ekstreme dhe shpresojmë që incidente të tilla që ndjellin urrejtje ndëretnike të mbeten të izoluara.

MEPJ i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të hetojnë nxitësit e dhunës dhe vendosjen e tyre para drejtësisë.Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë dhe do të jenë miq të përhershëm të Maqedonisë. Ne besojmë në vlerat e bashkëjetesës, në harmoninë dhe bashkëpunimin midis vendeve e qytetarëve tanë”, thuhet në reagimin e Ministrisë të Jashtme.​


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu