“Shqiptarët e Maqedonisë të marrin të drejtat e tyre, ose Ballkani do përfshihet në kaos”

“FoxNews” amerikan ka publikuar analizën e gjuhëtarit Gjovalin Shkurtaj kushtuar Maqedonisë, ku shtron dilemën nëse urrejtja etnike dhe racore në Maqedoni mund të përhapet në tërë rajonin.

Sipas tij, zhvillimet e fundit në Maqedoni vërtetojnë të vërtetën ogurzezë që në Ballkan urrejtja është mjaft e thellë, ndërkaq thekson se vendi është afër destabilizimit për shkak të legjitimitetit të shqiptarëve për çështjen e gjuhës shqipe që të jetë gjuhë e dytë zyrtare në vend, përcjell “Telegrafi”.

Shkurtaj pyet nëse vërtet gjuha shqipe rrezikon Maqedoninë, apo kryetari Ivanov është duke fshehur diçka, duke shtuar se Gruevski nuk arriti të bëjë qeveri, ndërkaq Zaevi arriti të ket 67 nënshkrimet e nevojshme për të formuar qeveri.

Sipas gjuhëtarit Shkurtaj, një qeveri e Zaevit mund të rihap hetimet për përgjimet e paligjshme dhe skandalet korruptive të Gruevskit, hap që mund t’i jep fund Gruevskit, prandaj Shkurtaj konsideron se Ivanovi tenton që ta shpëtojë Gruevskin përmes nxitjes së përplasjeve etnike.

Shkurtaj konsideron se për BE-në dhe SHBA-të Maqedonia është një eksperiment ku tentohet të detyrohet një bashkëjetesë ndërmjet grupeve etnike, shqiptarëve dhe maqedonasve, duke menduar që me pranimin e vendit në BE dhe NATO do ta dekurajojnë vendin që të ndjek lidhjet e vjetra me Rusinë.

Në fund të analizës së tij, Gjovalin Shkurtaj, konsideron se mosdhënia e të drejtave për shqiptarët në Maqedoni, vendin mund ta hedhë në kaos, ndoshta edhe në luftë, përfshirë tërë rajonin e Ballkanit, prandaj thekson se është jetike që BE-ja dhe SHBA-të të reagojnë që të mos lejohet edhe një gjakderdhje në Ballkan. /albeu


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu