Mesfushori 17-vjeçar Adri Mehmeti ka shkruar një moment të veçantë në karrierën e tij, duke realizuar golin e parë në Major League Soccer, pikërisht në një përballje me yjet më të mëdhenj të futbollit botëror.
Talenti shqiptar shënoi në minutën e 77-të për New York Red Bulls, duke vulosur barazimin 2:2 ndaj Inter Miami, skuadër ku luan superylli Messi. Në një natë ku të gjithë sytë ishin te argjentinasi, ishte pikërisht Mehmeti që mori vëmendjen me golin vendimtar.
I lindur në New York, Mehmeti ka përfaqësuar fillimisht Shqipërinë U15 dhe më pas SHBA-në U15, duke mbetur ende i hapur për të zgjedhur kombëtaren që do të përfaqësojë në të ardhmen.
Karriera e tij nisi në akademinë e Red Bulls në vitin 2019, ndërsa në dhjetor 2024 firmosi kontratë katërvjeçare me klubin. Pas eksperiencës në MLS Next Pro, këtë sezon ka nisur të lërë gjurmë edhe në ekipin e parë, ku tashmë numëron shtatë paraqitje, dy asistime dhe një gol.
Edhe agjencia Associated Press i kushtoi vëmendje këtij momenti, duke e cilësuar si një gol të vonshëm vendimtar nga 17-vjeçari që ndali skuadrën e Messit.
Pas ndeshjes, trajneri i New Yorkut, Michael Bradley, u shpreh krenar për ekipin dhe performancën ndaj një kundërshtari të fortë.
Ndërkohë, Messi nuk arriti të shënojë, por kontribuoi në ndërtimin e golit të dytë të Inter Miamit, në një sfidë ku protagonisti i vërtetë rezultoi të ishte talenti shqiptar.










