Nga 1,650 kandidate nga 128 shtete të botës, inovatorja shqiptare Diana Sherifi Aliji është shpallur fituese e çmimit prestigjioz “Women in Tech Community Award” në kuadër të WomenTech Network Global Awards 2025.
Ky vlerësim ka një rëndësi të veçantë për të, pasi lidhet drejtpërdrejt me kontributin e saj për shëndetin mendor të nënave përmes aplikacionit Mama’s Feelings Tracker, një platformë që synon t’i ndihmojë nënat në menaxhimin e emocioneve dhe mirëqenies gjatë periudhës së paslindjes.
Diana Sherifi Aliji u shpreh se ky çmim i jep edhe më shumë motivim për të vazhduar punën drejt përmirësimit të shëndetit mendor të nënave kudo në botë.
Ajo falënderoi Women in Tech Network për krijimin e një hapësire ku kontribueset femra në teknologji shihen dhe vlerësohen, si dhe familjen e miqtë për përkrahjen e tyre të palëkundur.
“Ky çmim është i imi, por po aq edhe i juaji. Faleminderit që më keni mbështetur në këtë rrugëtim”, shkroi ajo.
Diana Aliji – Founder & Creator i “Mama’s Feelings Tracker” – vazhdon të jetë një prej zërave frymëzues të grave në teknologji nga rajoni.










