Stamboll, Korrik 1891. Mëngjes me fllad të freskët që vinte nga Bosfori aty pranë. Një grup vajzash zbritën shkallëve të konviktit të “Robert College”, të veshura me përparëse të zeza e jaka të bardha, nëpër një rrugicë të ngushtë të shtruar me kalldrëm me gurë të zes. Në të dy anët e rrugicës, trëndafilat shumë ngjyrësh stolisnin atë parajsë të vogël, për të cilën kujdeseshin këto vajza që ecnin qetë si flutura, drejt godinës së shkollës impozante të tyre. Dalloheshin qartë shkronjat latine “ROBERT COLLEGE”. Bisedonin me zë të ulët e hera herës përqafonin njëra tjetrën. Drejtoria e kolegjit, organizonte një takim lamtumire me këto nxënëse, që mbaruan këtë kolegj amerikan, e do të shpërndaheshin në vendet e tyre.
Midis tyre dallohej një vashë me trup mesatar e bëshme, fytyrëqeshur, me hundë si qiri, syzezë e vetullzezë, me flokë të rregulluara pas kokës si topuz. Herë herë shpejtonte hapat para shoqeve si thëllëzë, e pastaj ndalonte duke kthyer fytyrën nga shoqet e ashtu duke buzëqeshur, dukej si sorkadhe mali. Fytyra i shndriste nga dielli korrikut që ngrihej mbi qiellin blu e me atë pamje, dukej si peri e zbritur nga parajsa e zotit. Nuk mbante në duar byzylyk, as varëse floriri a argjendi, vetëm dy vathë të vegjël me gurë rubini ngjyrë blu, ashtu si të gjitha shoqet e sajë. Ishte shqiptarka Sevasti Qiriazi.
Vajzat ju afruan shkollës dhe emocionet u shtuan. Drejtori kolegjit dhe pedagogët, kishin dalë në oborr e bisedonin ulët me njeri tjetrin. Vajzat lexonin në fytyrat e tyre brengën e ndarjes dhe filluan të përloten. Do të ndaheshin përjetë nga ata edukatore e edukatorë të dashura, që katër vjet luftonin krahë për krahë, në luftën e vështirë të dijes e do të shkonin në vise të largëta të perandorisë, për mos u parë më me njeri-tjetrin. Por drejtori Eliot Spencer, duke parë dëshpërimin e të gjithëve e duke e mposhtur atë, tha me buzëqeshje:
–“Afrohuni t’u përqafojmë pëllumbesha’ se ju na keni nderuar ne dhe ne prandaj ju duam shumë”. Vajzat e trupi pedagogjik u bënë një dhe përqafoheshin siç përqafohen fëmijët me prindërit e tyre të dashur. Ashtu së bashku u futën në sallën e madhe të shfaqjeve teatrale, që ishte përgatitur për festë nga drejtoria e kolegjit. Zëvendësia e drejtorit, Anna Triks, u ngjit në skenën e teatrit me perde mëndafshi të kuqe, që ndrinin nga llambadarët e vendosur në të dy anët. Me emocion ju drejtua të gjithë pjesëmarrësve me këto fjalë: – “Të dashura vajza! Të nderuar kolegë! Jam shumë e emocionuar, po do tu flas me fjalë zemre. Fjalimin e lashë në çantë, se mu duk i thatë me fjalët që zgjodha për ju. Ju meritoni shumë më shumë respekt e mirënjohje nxënëse e pedagogë. Lum si ju moj vajza, që mbaruat të gjitha suksesshëm kolegjin e na nderuat ne, familjet tuaja e vendet tuaj. Lum si ne për ju të dashura nxënëse. Ne, pedagoget tuaj ndjejmë krenari që puna jonë me ju, arriti këtë fitore si bekim nga zoti. Ju urojmë njëzëri shëndet e suksese në vendet tuaja për përhapjen e diturisë.
Ju tashmë jeni të lira për të bërë ç’do gjë, që ju pëlqen se kini zgjuarsinë për të dëgjuar, gjykimin për të dalluar, shpirtin për të ndjerë, ndërgjegjen për të peshuar çdo gjë. Ju tashmë e dini se çdo e keqe është e ndaluar. Veset e veprimet e padrejta, mos besnikëritë, dinakëritë janë të botës së ndyrë. Mos i afroni ato. Largojini nga ju e familjarët tuaj dhe pastroni shoqërinë e kombeve tuaj prej tyre. Jini misionare tani. Zoti qoftë me ju”!
Emocione pafund për të gjithë. Sevastia jonë shikonte turbull mësuesen e gjuhës angleze, që zbriste shkallët e skenës, sepse sytë i kisht plot me lot. Vazhdoi koktej rreth dy orë e drejtori Spencer, tha se; në orën 6 mbas dite do të bëhej në atë sallë ndarja e diplomave.










