Qeveria greke ka paralajmëruar nisjen e një operacioni gjithëpërfshirës për mbylljen e të gjitha xhamive dhe vendeve të faljes që funksionojnë pa licencë ligjore, kryesisht në zonën e Athinës. Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Migracionit dhe Azilit, Thanos Plevris, i cili deklaroi se autoritetet do të zbatojnë me rreptësi legjislacionin në fuqi për vendet e adhurimit.
Sipas ministrit, çdo ambient fetar që operon pa autorizim zyrtar do të mbyllet menjëherë. Administratorët e këtyre hapësirave përballen me ndëshkime penale, ndërsa shtetasit e huaj rrezikojnë edhe heqjen e lejes së qëndrimit dhe deportimin.
Vendimi ka nxitur debat publik, pasi prej vitesh shteti grek nuk ka dhënë leje për hapjen e xhamive të reja, duke e bërë praktikisht të pamundur funksionimin e tyre në mënyrë të ligjshme. Për pasojë, shumë besimtarë myslimanë janë detyruar të improvizojnë ambiente faljeje në bodrume, garazhe dhe ndërtesa private, jashtë kuadrit ligjor.
Autoritetet pranojnë se në Athinë ekzistojnë dhjetëra vende-faljeje të paregjistruara, të cilat nuk përmbushin kriteret minimale të sigurisë dhe higjienës. Këto ambiente janë tashmë objekt i kontrolleve të shtuara dhe masave të mbylljes.
Ministri Plevris theksoi se operacioni nuk synon një fe të caktuar, por synon zbatimin e barabartë të ligjit për të gjitha vendet e adhurimit që funksionojnë pa licencë. Megjithatë, në praktikë, masat prekin kryesisht komunitetin mysliman, për shkak të mungesës së një mekanizmi funksional për pajisjen me leje të xhamive.
Kjo lëvizje vjen në kuadër të një politike më të ashpër të qeverisë greke ndaj emigracionit dhe aktiviteteve që zhvillohen jashtë rregullave shtetërore, duke shtuar debatet mbi lirinë e besimit dhe trajtimin e komuniteteve fetare në vend.










