Koalicioni ynë qeverisës angazhohet të dyfishojë të ardhurat për frymë dhe ta zhdukë varfërinë ekstreme. Nuk do të ketë më familje shqiptare që do të vuajë për bukën e gojës, ujë dhe drita.
Angazhimi i parë i programit tonë është minimumi 110 000 vende të reja pune për shqiptarët. Krijimi i vendeve të punës është jetik për stabilitetin ekonomik dhe çelësi për njerëzit që të investojnë në veten e tyre dhe fëmijët e tyre.
Unë angazhohem t’i ul taksat mbi të ardhurat personale në 9%, duke ruajtur fashën mbrojtëse ekzistuese prej 30 mijë lekësh. Totali i taksave dhe tarifave vendore të bizneseve të vogla e të mesme, nuk do të jetë më i lartë se 0.5% e xhiros.
Angazhohem të ul çmimin e energjisë elektrike dhe çmimin e karburanteve. Do të mbulojmë shpenzimet arsimore për tarifat për 90% të studentëve. Shqipëria ka nevojë për një qeveri dhe një kryeministër të ekonomisë.
Çdo familje do të përfitojë për çdo të porsalindur një pagesë mujore prej 3 mijë lekësh të rinj, për 5 vitet e para të jetës. Çdo vit të qeverisjes time, 5 mijë çifte dhe familje të reja do të përfitojnë nga subvencionimi i plotë i interesave të kredive për strehim.
Ne do të japim një financim rekord nga buxheti i shtetit për fermerët prej 100 milionë euro, si dhe sigurimin e fondeve për çdo kulturë bujqësore ose blegtorale. Ne do të zhvillojmë dhe investojmë në bujqësi, ushqim dhe blegtori.
“I kemi kushtuar shumë kohë, themi muaj po në fakt po mbushen dy vite. Sepse këtë herë duam të sjellim para jush një program pune, një program qeverisjeje, një program të zbatueshëm që do t’u shërbejë shqiptarëve dhe Shqipërisë, dhe jo thjesht një partie politike apo një fushate elektorale.
Ky është një program që do ta çojë Shqipërinë përpara, menjëherë pas fitores së zgjedhjeve të 25 prillit”, e nis dhe Lulzim Basha paraqitjen e programit.
Ai tha se e kupton skepticizmin që është në publik.
“Keni dëgjuar kaq shumë premtime këto tetë vite, jeni lodhur nga ata që ju premtojnë botën dhe nuk ju japin asgjë. Ndodhi me kryeministrin në ikje i cili premtoi qindra, mijëra vende pune, por në fakt me të dhe nën të, radhët e të papunëve u shtuan dhe mijërave të pamundurve për punë iu hoq edhe buka e gojës, ndihma sociale.
Premtoi të ulte koston e jetës për 97% të shqiptarëve, por me të kostoja e jetës për shqiptarët është rritur në shifra rekord. 40% gjatë viteve të sundimit të tij. Premtoi ta bënte më të fortë ekonominë tonë, por ekonomia jonë është në kolaps dhe krizë totale dhe është tërësisht e shkatërruar dhe e paaftë të përballet me sfidat e përditshme të shqiptarit. Premtoi ta bënte më të fortë ekonominë tonë, por ekonomia u shkatërrua dhe shqiptarët po e paguajnë ditë për ditë në xhepat e tavolinat e tyre të zbrazura. Kjo do të marrë fund.
Kjo kulturë e premtimeve pa doganë dhe pastaj braktisjes së tyre totale do të marrë fund. Ndaj nuk kam dalë sot para jush të premtoj gjëra që nuk bëhen kurrë realitet. Planet që po nisim të shpalosim sot dhe javët në vijim nuk janë premtime. Janë angazhime të padiskutueshme të miat si kryeministër dhe të ekipit tim përpara jush, përpara çdo shqiptari dhe si të tilla do të përmbushen”, tha Basha.
Sipas tij, një kryeministër që nuk është i aftë t’i përmbushë angazhimet që merr përsipër duhet të largohet.
“Unë sot marr këtë barrë të përgjegjësisë para jush. Jo pas 8 vitesh por direkt në katër vitet e para sipas një plani të detajuar muaj pas muaji, javë pas jave, ditë pas dite. Ka ardhur koha për ndryshim. Ka ardhur koha ta ndryshojmë Shqipërinë. Ka ardhur koha ta largojmë këtë qeveri e të sjellim një qeveri që kujdeset për njerëzit dhe jo për veten e saj”.
Shqipëria fiton – PD e nis me hapin e duhur
Partia Demokratike ka prezantuar dje programin ekonomik, me shtyllat kryesore, ku vihet re se fokusi është te çlirimi i njerëzve dhe sipërmarrjeve nga barra fiskale e burokracia, dhe dhënia e më shumë hapësirave dhe lirisë për të ecur para.
Po ashtu, në këtë program ka kujdes shtetëror për familjet, për njerëzit në nevojë, për të rinjtë, dhe synime të qarta për të zhdukur varfërinë.
Po çfarë bie po ashtu në sy, është edhe mënyra e prezantimit. Lulzim Basha është kujdesur të mos shpërndajë dje një buqetë me premtime inkandeshente, që krijojnë iluzione dhe ëndrra.
Siç edhe u theksua gjatë gjithë kohës, fjala premtim, ishte zëvendësuar me angazhim. Planet duken konkrete dhe të realizueshme, për më shumë të kuptueshme e të asimilueshme nga njerëzit.
PD ka bërë dje një hap domethënës drejt zgjedhjeve të 25 Prillit. Edhe nga grafikat dhe paraqitja, kishte një arritje. Jo llamburitje, jo përpjekje për impresionim, por qartësi dhe çdo gjë e matshme e prekshme. Po ashtu, duket se dje është zbuluar edhe slogani i PD dhe i Opozitës për zgjedhjet që po vijnë. Dhe ky slogan është: Shqipëria fiton. Një gjetje edhe kjo, duke e vendosur që në krye PD dhe Opozitën me Shqipërinë, me shqiptarët, me vendin, dhe nga ana tjetër duke e ndarë Ramën dhe rilindjen, si të palidhur, si një formacion që punon vetëm për veten. Prezantimi meriton të vlerësohet dhe është një kontribut edhe për zhvillimin politik në vend, një impuls në rrugën drejt asaj gjëje normale që i duhet kaq shumë vendit sot.









