Kryeministri Edi Rama duket se ka realizuar një manovër të qartë për të konsoliduar kontrollin e tij mbi ekzekutivin, duke rikthyer në nivele të larta qeveritare një grup të tërë ish-drejtuesish të Bashkisë Tiranë. Nga Mirlinda Karçanaj, që kaloi nga drejtoria e TIK në Bashki në drejtimin e AKSHI, te Dritan Agolli, që mori postin e drejtorit të përgjithshëm të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, lëvizjet tregojnë një transferim masiv të njerëzve të besuar nga niveli vendor te qendror.
Majlinda Dhuka u emërua Ministre Shteti dhe Kryenegociatore për Bashkëpunimin me BE-në, ndërsa Albana Koçiu mori postin e Ministres së Brendshme, duke dëshmuar se Rama nuk ka hezitim të vendosë drejtues të Bashkisë në pozicione me ndikim të madh politik dhe administrativ.
Ndërkohë, Viola Haxhiademi, Anxhelo Paparizo dhe Irfan Dashi morën drejtimin e institucioneve kyçe si KESH, QSUT dhe Rezervat e Shtetit. Lista vazhdon me emra të tjerë të Bashkisë Tiranë që sot mbajnë poste strategjike: Sonila Qato (ish-drejtoreshë e Urbanistikës), Arben Seferaj, Androkli Kokthi, Pal Doçi, Joana Bushi, Enton Punavija dhe Afrim Qëndro, të gjithë të vendosur në institucionet më të rëndësishme të qeverisë dhe administratës. Edhe drejtuesit e sektorëve si pastrimi, transporti, kontrolli i territorit dhe infrastrukturës janë shpërndarë në pozicione të nivelit të lartë, duke krijuar një rrjet të fuqishëm të njerëzve të besuar nga ekzekutivi vendor. Ky “transferim i stafit” tregon se Rama ka krijuar një ekzekutiv pothuajse tërësisht të mbushur me njerëz nga administrata e Bashkisë Tiranë, duke forcuar ndikimin e tij në institucionet shtetërore dhe duke rritur fuqinë politike brenda qeverisë. Analistët e shohin këtë si një strategji të qëllimshme për të siguruar besnikëri dhe kontroll të plotë mbi vendimmarrjen qendrore, duke i dhënë Ramës një avantazh të dukshëm politik për periudhën e ardhshme.
Detajet
1. Mirlinda Karçanaj, drejtore TIK në Bashkisë Tiranë – Sot Drejtore AKSHI.
2. Dritan Agolli Administrator i Përgjithshëm – Sot drejtor i përgjithshëm i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
3. Majlinda Dhuka Drejtor i Përgjithshëm – Sot Ministre Shteti dhe Kryenegociatore në Shqipëri pë BE
4. Sonila Qato Drejtore e Urbanistikës – Sot ish-drejtorja e ARRSH.
5. Albana Koçiu, Drejtore e Infrastrukturës – Sot Ministre e Brendshëm.
6. Viola Haxhiademi Drejtor i Përgjithshëm – sot drejtor e KESH.
7. Anxhelo Paparizo, Drejtore e Kulturës – Sot drejtore e QSUT.
8. Irfan Dashi Drejtor i Përgjithshëm – Sot ish Drejtor i Përgjithshëm të Rezervave të Shtetit.
9. Arben Seferaj Drejtor i Përgjithshëm – Sot ish Administratori i OSHEE
10. Androkli Kokthi Drejtor i Përgjithshëm – Sot ish Kreu i Tatimeve të Tiranës
11. Pal Doçi Drejtor i Shërbimeve – Sot ish drejtues i zyrës së INUK 2 në Tiranë
12. Joana Bushi Drejtor Drejtorie – Sot ish shefe kabineti e Belinda Ballukut.
13. Enton Punavija Drejtor i Transportit – Sot Drejtor i Drejtorisë së Transportit Bashkia Tiranë
14. Afrim Qëndro Drejtor Drejtorie – Sot Prefekt i Tiranës
15. Anila Shehu, Drejtore e Pastrimit – Sot drejtoresha e Qytetit Studenti
16. Hantin Bonati Drejtor për Kontrollin e Territorit – Sot Zëvendësministër MIE
17. Ogerta Manastirliu Drejtor Drejtorie – ish Ministre, Kandidate për Bashkisë e Tiranës.
18. Julian Zanaj Drejtor Drejtorie – Sot ish nr 2. i OSHEE.
19. Ardit Kaja Kryeinspektor i Insp. Ndërtimor – Sot krye të Inspektorit Shërbimeve Shoqërore.
20. Vali Bizhga Nënkryetare – Sot Shefe kabineti i KM.
21. Belinda Balluku Drejtoreshë e kabinetit – Sot zv. Kryeministre dhe Ministër
22. Blendi Gonxhe Nënkryetari – Ministër i 3 portofolave.










