Shtatori ka sjellë pak frymëmarrje për turizmin në vend, pas situatës së vështirë që ai po kalonte që nga marsi, kur për gati tre muajt lëvizja ishte pothuajse e bllokuar dhe pas një vere të vakët, ku ata që i mbajtën hotelet në këmbë ishin shtetasit nga Kosova.
Të dhënat e INSTAT treguan se Në Shtator 2020, hyrjet e shtetasve të huaj në territorin shqiptar janë 377.033. Krahasuar me Shtator 2019, ky numër ka rënë me 36,2%. Ndonëse në rënie, tkurrja ishte më e ulët se në periudhat e mëparshme, ku në gusht hyrjet e të huajve ranë me 63% dhe në korrik me -67.1%.
Kosova është në fakt shpëtimtari i turizmit këtë verë. Vetëm në shtator erdhën 239 mijë turistë nga Kosova, që përbënin 64% të totalit të të huajve që hynë në vend këtë shtator. Hyrjet e shtetasve nga Kosova në shtator ishin 44% më të larta se e njëjta periudhë e një viti më parë, duke mbajtur të zëna hotelet në të gjithë vendin dhe duke kompensuar rënien e turistëve nga Maqedonia (-50% në shtator), Greqia (-87%), Italia (-69%), Mali i Zi (-46%) etj.