Si Ergys Agasi e shiti Edi Ramën dhe i dorëzoi arkivën e përgjimeve agjentëve të BKH

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë sekuestruar një pajisje të avancuar përgjimi nga zyra e biznesmenit Ergys Agasi në zonën e ish-Bllokut. Ky aparat kishte kapur me zë dhe figurë të gjithë ata që hynin dhe dilnin nga zyra e tij, duke regjistruar të gjitha bisedat dhe veprimet. Vendosja e këtij aparati është bërë nga vetë Agasi, i identifikuar si koordinatori i Ramës me grupet kriminale, sipas një denoncimi të drejtpërdrejtë të bërë publikisht nga ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, me qëllim mbledhjen e informacioneve nga bisedat me ministra dhe zyrtarë të lartë të administratës shtetërore dhe të Policisë së Shtetit.

Agasi para se të arratisej, ishte kujdesur që arkiva e përgjimeve të mbetej e paprekur dhe plotësisht e aksesueshme për hetuesit, pikërisht në momentin kur ata do të bastisnin zyrën e tij. Edhe pse ishte thirrur disa herë më parë në SPAK dhe kishte kohë të mjaftueshme për të zhdukur gjurmët, ai nuk ndërmori asnjë veprim për të fshirë materialet komprometuese. Aktualisht, kjo pajisje, së bashku me një laptop dhe rreth shtatë telefona të sekuestruar në banesën dhe zyrën e tij, janë bërë prova kryesore në dosjen që SPAK ka ngritur ndaj tij, Ermal Beqirit, drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe disa zyrtarëve të tjerë. Nga regjistrimet e pajisjes së vendosur në ambientet e zyrës së Agasit, është zbuluar edhe takimi i Mirlinda Karçanajt me të. Përveç saj, në biseda dhe takime me Agasin shihen figura të njohura të politikës, ministra, drejtues të administratës, përfaqësues të Policisë së Shtetit, përfshirë edhe emra të drejtorive vendore, si dhe personazhe nga bota e krimit në Shqipëri. Për shkak të sasisë së madhe të materialeve të gjetura, SPAK ka ndarë dosjen kryesore nr. 20, që përfshin akuzat për kontrabandën e cigareve, duke e ndarë atë në disa fraksione të tjera, si 20/1, 20/2 dhe 20/3. Hetimet po vijojnë për t’u ndjekur nga afër bisedat, takimet dhe përfitimet që Agasi mund të ketë marrë nga administrata shtetërore.

Mbi 130 video-përgjime në duart e SPAK

Gazetari Elton Qyno bëri me dije se bëhet fjalë për mbi 130 video-përgjime, të cilat SPAK po i verifikon dhe po i shqyrton një e nga një. “Është një dosje në zhvillim e sipër dhe pritet që të përfshijë edhe zyrtarë të tjerë të administratës shtetërore. Ajo që të habit është qëllimi i kësaj pajisjeje përgjuese, pasi duket se janë regjistruar pothuajse të gjitha takimet. Janë mbi 130 video të rikuperuara dhe tashmë janë marrë në administrim nga SPAK,” u shpreh Qyno. Ai shtoi gjithashtu në se në praktikën e dosjeve penale, pjesët e censuruara me pika shpesh lidhen me fjalor banal apo me emra personash që, për arsye hetimore, nuk bëhen publikë nga Prokuroria e Posaçme. Hetimi mbetet i hapur dhe pritet që nga analiza e këtyre përgjimeve të dalin në dritë elementë të rinj, që mund të zgjerojnë më tej rrethin e personave të përfshirë në këtë aferë, që mund të shkojë deri te kryeministri Rama. Kujtojmë se ish zv/kryeministri Arben Ahmetaj përmendi disa kohë më parë se ekziston një përgjim ambiental ku del familja e Edi Ramës te AKSHI. Ahmetaj ka deklaruar se ky përgjim ambiental ndodhet në një kuti i fshehur. Duke folur për AKSHI-n, ai ka theksuar se kompania ABS që ka qenë një prestanome e njerëzve të afërt të kryeministrit që ka marrë 43 mln. Ahmetaj ka përmendur dhe një emër gjatë intervistës, që është ish-nëndrejtori i AKSHI-t, Danieli, që sipas tij është kërcënuar nga vetë Rama që të mbyllë gojën. “Doni fakte, doni oborrin e familjes së Edi Ramës. Meqë është futur tek familja ime, kanë kaluar derën në mënyrë të paligjshme. Shumë e kollajtë është të futesh brenda shtëpisë së një burri, nuk e di sa kollaj është të dalësh. Ja AKSHI ku është. Ka 8 muaj që investigohet, është bërë një përgjim ambiental që është në SPAK, edhe mund ta zhdukin, por dikush e ka tjetër. Dikush e ka, dhe ai dikush më ka garantuar se një kopje e saj, është në një kuti. Kanë bërë përgjim ambiental ku është përfshirë familja e kryeministrit tek AKSHI. 43 mln nëpërmjet prestanomeve. I është përmendur emri për shumë, shumë gjëra në atë përgjim ambiental. Nuk janë thashetheme. Dhe që atë ditë, ABS që ka qenë një prestanome e njerëzve të afërt të kryeministrit, prestanome, që ka marrë 43 mln, që është rritur në mënyrë të papritur, ju këput filli trak. Pse, se u thërrit në SPAK dhe deponoi. U thërrit në SPAK dhe deponoi. Çfarë ka thënë në SPAK unë e di. Me siguri edhe kryeministri e di. Deri sa e di unë, sigurisht që e di dhe kryeministri. Këtu janë 43 mln. Dhe tani është në kontroll të dikujt tjetër. AKSHI është tmerr. Danieli është kërcënuar. Tani ata që e kuptojnë e dinë shumë mirë që të mbylli gojën. Danieli është kërcënuar nga vetë kryeministri që të mbyllë gojën”, tha Ahmetaj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu