Në të gjithë botën, demokracia është në rënie. Në vitin 2020, Indeksi i Demokracisë, i botuar nga Njësia e Inteligjencë së The Economist (EIU) që prej vitit 2006, ra në nivelin e saj më të ulët global.
Ky zhvillim nuk mund t’i atribuohet ekskluzivisht kufizimeve të vendosura për shkak të pandemisë, pasi vlerësimet kanë qenë në rënie të lirë që prej vitit 2015. Prandaj, nuk është për t’u habitur që në fjalimin e tij të parë rreth politikës së jashtme si president i SHBA-së, Joe Biden theksoi nevojën për të mbrojtur vlerat e demokracisë në të gjithë botën.
Biden ripohoi qëllimin e tij, të cilin ai e pati shprehur edhe gjatë fushatës elektorale, për të organizuar një Samit për Demokracinë në fillim të presidencës së tij. Sipas Biden, ky samit “do të mbledhë së bashku demokracitë e botës për të forcuar institucionet tona demokratike, për t’u ballafaquar me ndershmëri me vendet që bëjnë hapa prapa, dhe për të krijuar një axhendë të përbashkët”.
Britania e Madhe e ka mbështetur idenë duke propozuar krijimin e një D10, që do të formohet me anëtarët e G7 së bashku me Australinë, Indinë dhe Korenë e Jugut. Struktura dhe plotësimi i këtyre propozimeve nuk janë përcaktuar ende, por thelbi i tyre nuk është aspak i ri.
Kur John Mçain garoi për president kundër Barack Obamas në vitin 2008, ai hodhi idenë e krijimit të një Lidhje të Demokracive që do të përfshinte më shumë se 100 shtete. Në fakt, kur Mçain hodhi idenë e tij, një koalicion i ngjashëm (por më modest) ekzistonte që prej vitit 2000, kur Shtetet e Bashkuara dhe Polonia kryesuan themelimin e Komunitetit të Demokracive (CoD).
Kjo iniciativë vazhdon të ekzistojë ende, por thuajse është harruar tërësisht, duke treguar. Kësisoj vështirësinë e mbështetjes së përpjekjeve të tilla. Që prej fillimit të saj, CoD hasi pengesa nga mospërputhjet dhe përçarjet taktike, si dhe nga dyshimet rreth qëllimit të saj.
Fatkeqësisht, vendet që u bashkuan me këtë projekt nuk u inkurajuan me sukses që të përsosnin sistemet e tyre përkatëse demokratike. Fakt konkret është se selia e organizatës ndodhet në Poloni, vend që aktualisht renditet në vendin e 50 në renditjen e EIU, pas përkeqësimit të dukshëm të demokracisë vitet e fundit.
Para se të nisë, Samiti i Biden për Demokraci do të përballet me pyetjet që bënë që edhe projekte të ngjashme të dështonin: kush, ku dhe pse. Kur të merren parasysh sinqerisht këto pyetje, mund të identifikohen një sërë pengesash dhe mangësish, të cilat kohët e fundit janë bërë edhe më të vështira për t`u anashkaluar.
Realiteti i parë i pakëndshëm me të cilin duhet të përballet SHBA, është se ndonëse e ruan ende pjesën më të madhe të tërheqjes së saj gravitacionale në arenën ndërkombëtare, reputacioni i saj si një bartëse e standardit të demokracisë ka pësuar disa goditje domethënëse.
Është e qartë se vendi po kalon një krizë serioze institucionale dhe shoqërore, për shkak të shkeljeve të administratës Trump, dhe Partisë Republikane. Ardhja e Biden – me premtimin e tij për unitet dhe me padurimin për t’i rregulluar gjërat – ka qenë një lehtësim i madh, por qasja e tij pajtuese nuk do të japë fryte brenda ditës.
Përtej këtyre konsideratave të brendshme rreth SHBA-së, cilat vende të tjera do të ftohen në samit? Ftesa ndaj sa më shumë vendeve do ta bënte arritjen e konsensusit më të vështirë, ndërsa pjesëmarrja e shumë pak prej tyre do të çonte në një mbivendosje joproduktive me forume ekzistuese siç është G7. Për më tepër, ftesa e disa qeverive me kredenciale të dyshimta demokratike, mund të kontribuojë në zbardhjen e praktikave të tyre, ndërsa përjashtimi i tyre mund të çojë në kriza diplomatike, dhe të jetë joproduktiv nga pikëpamja strategjike.
Mbetet për t’u parë nëse Biden parashikon thjesht një samit të vetëm apo një koalicion më të përhershëm – ndoshta edhe duke marrë një formë të institucionalizuar. Opsioni i parë do të ishte thjesht simbolik dhe nuk do t`ia vlente përpjekja.
I dyti do të binte ndesh me imperativat e një rendi multipolar, në të cilin një rol thelbësor luajnë lidhjet ekonomike dhe afërsia. Pasja e të njëjtit sistem politik, nuk nënkupton ndarjen e të njëjtave interesa dhe përparësi, ndaj sigurimi i një koalicioni demokracish me një objektiv konkret, thelbësor dhe të qëndrueshëm është praktikisht i pamundur.
Kur real-politika hyn në skenë (për shembull, në çështjet tregtare), koalicioni mund të diskretitohet. Së fundmi, megjithëse një Samit për Demokracinë mund të promovohet pozitivisht, pra mos përdoret si një mjet ndëshkues, ai do të interpretohet me siguri si një përpjekje për të tërhequr një vijë të mprehtë ndarëse midis demokracive dhe autokracive.
Ta vendosësh këtë vijë ndarëse në qendër të marrëdhënieve ndërkombëtare, do të thotë të rrezikosh të nxisësh atë që ende mund të shmanget:një tjetër Luftë të Ftohtë, këtë herë midis SHBA-së dhe Kinës.
Përballë kërcënimeve të jashtëzakonshme globale që po shfaqen mbi ne, nga pandemitë tek ndryshimi i klimës, një dinamikë e konfrontimit midis blloqeve rivale do të pengonte bashkëpunimin shumëpalësh për të cilin kemi shumë nevojë. Por njohja e pengesave të propozimit të Biden nuk do të thotë që ne duhet të heqim dorë nga përpjekjet për ta ri-ngritur rënien globale e demokracisë.
Megjithëse këshillohen G20 apo formate edhe më përfaqësuese dhe ambicioze, për t’i menaxhuar sfidat e përbashkëta të shekullit të XXI, vendet demokratike mund të përdorin korniza të tjera, tashmë ekzistuese, për një dialog më të frytshëm.
Po kështu, demokracitë mund të forcojnë udhëheqjen e tyre morale duke u distancuar nga abuzimet e regjimeve autokratike, siç bëri Biden i cili sapo ka tërhequr mbështetjen e SHBA-së për ofensivën e Arabisë Saudite në Jemen. Nëse ka diçka që është bërë e qartë kohët e fundit, është fakti që demokracia zakonisht nuk zhduket sa hap e mbyll sytë.
Shpesh ajo gërryhet pak nga pak, pothuajse pa u vënë re dita-ditës. Në mënyrë që ta rindërtojmë atë, mund të jetë më efektive një qasje qoftë dhe e pjesshme, në vend të gjesteve të mëdha globale. Duke punuar me durim nga poshtë lart, dhe nga kombi tek ndërkombëtarët, ne ende mund ta ndihmojmë demokracinë të rimarrë shkëlqimin e saj.
Nga Havier Solana, Project Syndicate









