Pas suksesit të sezonit të parë, “Flet” me Ilnisa Agollin u rikthye mbrëmë në ekranin e Top Channel dhe në valët e Top Albania Radio.
“Flet” është një podkast pa filtra, i drejtpërdrejtë dhe i vërtetë. Me rrëfime të sinqerta nga të ftuarit, pa doreza dhe me deklarata të fuqishme dhe të pathëna më parë.
I ftuari i parë i këtij sezoni të dytë ishte ish-kryeministri, Sali Berisha, i cili bëri një rrëfim ndryshe nga çfarë jemi mësuar të dëgjojmë.
Në momentin kur moderatorja e njohur e pyeti në lidhje me bashkëshorten e tij, Liri Berisha, kryetari i Partisë Demokratike tregoi anën e tij romantike.
Pjesë nga intervista:
Si jeni njohur me bashkëshorten tuaj?
Ajo ka qenë studente në Fakultet të Mjekësisë dhe unë pedagog. Nuk i kam dhënë direkt mësim grupit të saj. Unë jepja mësim në vit të 3. Në vit të 4 jam njohur me të, jemi afruar, jemi dashuruar. Mbaroi studimet dhe u martuam.
Çfarë përfaqëson ajo tek ju doktor?
Tani, se çfarë përfaqëson ajo është e thjeshtë të thuhet gjysma, por shumë më tepër. Sepse, në profesion ishte një mbështetje e madhe për mua, por dhe unë për atë. Edhe unë e kam mbështetur atë. Në kuptimin, e kam ndikuar që të zgjedhë pediatrinë. Po, ja sugjerova! Ajo u apasionua shumë pas pediatrisë. Por, përveç profesionit mund të them që e gjithë aq sa është përcaktues mjedisi familjar, në kuptimin e vërtetë të fjalës, ajo është violina e parë. E ka luajtur atë rol në mënyrën më të fuqishme, më të përsosur.