Si u shfrytëzua tërmeti i vitit 1963 për të dëbuar shqiptarët nga Shkupi?

Nga tërmeti katastrofik në vitin 1963, 1.070 njerëz e humbën jetën, ndërsa 3.000 u lënduan. Historiani Skënder Hasani, nga arkivi i Maqedonisë, ka siguruar dokumente që flasin për largimin e 20 mijë shqiptarëve nga Shkupi drejt Kosovës dhe Turqisë, menjëherë pas tërmetit që goditi këtë qytet.

“Shkupi ishte me popullsi dominuese nga shqiptarët, por fill pas implementimit të këtyre projekteve erdhi largimi i 20 mijë shqiptarëve në Kosovë, emigrimi i qindra familjeve në vitin 1963 në Turqi dhe sjellja e 20 mijë sllavëve nga Polonia, Çekosllovakia dhe Maqedonia e Egjeut. Këtu e shohim atë element kyç të ndryshimit të strukturës së popullsisë dhe dominimit sllav në këtë qytet”, deklaron Hasani.

Këto dokumente, që për herë të parë janë publikuar dy vite më parë në Top Channel, shpalosin edhe planin tjetër, atë për ngritjen e ndërtesave të institucioneve shtetërore mbi 30 xhami të rrënuara në atë kohë.

“Në këto dokumente thuhet se duhet shfrytëzuar ky moment që këto objekte të hiqen nga faqja e dheut dhe të mos ndërtohen përsëri. Prej asaj periudhe kohore ato objekte nuk ekzistojnë më dhe mbi to kemi ndërtime të tjera të etnokulturës dhe arkitekturës maqedonase”, saktëson Hasani.

Tërmeti që goditi kryeqytetin e Maqedonisë më 26 korrik të vitit 1963 shkatërroi 80 për qind të qytetit, ndërsa jetën e humbën mbi 1.000 persona.

Fahri Xharra, komenton që më historinë e tij të gjatë, “qyteti disa herë është rrëzuar dhe prej fillimi ka lindur. Në hapësirën mes fshatrave Zlokuqan dhe Bardovcë ka ekzistuar qyteti i Skupit, metropol i provincës Dardania.

Ky qytet dardan në vitin 518 ka qenë plotësisht i shkatërruar nga tërmeti. Atëherë në provincën Dardania janë shkatërruar 24 bedena të qytetit. Forca e këtij tërmeti ka qenë 10-11 ballë. Tërmeti katastrofal plotësisht e ka shkatërruar Skupin. Gjatë kohës së dridhjes janë shkaktuar shumë plasje në tokë. Nga kodrat për rreth janë shkëputur masa të mëdha me shkëmbinj. Shkupi më pas është ndërtuar në vendin e sotëm.

Tërmeti ka për tu shënuar nga ana e mediumeve si një fuqi shkatërruese e natyrës së cilës ende me saktësi në kohë nuk mund t`i ikësh. Por shënimi im është i një natyre tjetër.”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu