Punëtorët nesër dalin në rrugë. Ata do të protestojnë për rritjen e pagës minimale në 600 euro dhe rritje të të gjitha pagave të tjera me nga 100 euro. Numri një i Lidhjes së Sindikatave, inkurajon punëtorët t’i bashkëngjiten protestës, duke i rikujtuar se vetëm këtë janar qytetarët janë më të varfër për 1000 denarë, ndërsa në dy vitet e fundit si pasojë e refuzimit të qeverisë dhe punëdhënësve që të ketë rritje të pagave qytetarët janë më të varfër për 9 500 denarë, apo për aq sa ka rritje shporta konsumatore minimale.
“Kjo protestë është kundër padrejtësisë, sepse ata marrin dhjetëfish pagë më të madhe se e juaja. Kjo protestë është pasi ata për vete sigurojnë rritje të pagës në vlerë prej 250 euro ndërsa për ju as 25 euro. Ju ftoj që të na bashkëngjiteni në protestën e madhe të punëtorëve në rrugë, nesër në orën 17:00. Vishuni mirë, vendosni kapelë e shall, dhe ejani në rrugë që të mos ju njeh askush nëse ju kërcënojnë. Nuk duhet askujt t’i frikësoheni sepse askujt nuk i obligoheni asgjë”, tha Sllobodan Trendafillov, Kryetar i Lidhjes së Sindikatave.
Trendafillov thekson se revoltën do ta shprehin edhe në rrugë edhe në aspekt institucional. Ai tha se protesta e nesërme është vetëm fillimi, duke paralajmëruar edhe greva të përgjithshme e bllokim të sistemit, derisa zëri i punëtorëve të merret parasysh.
“Nëse pala tjetër nuk na dëgjon dhe vazhdon qëndrimi injorues dhe tallës ndaj hallit të punëtorëve, vazhdojmë me bllokime, vazhdojmë me targetimin e institucioneve dhe lokacioneve që do t’i bllokojmë siç na kanë bllokuar tërë vitin. Vazhdojmë me greva të përgjithshme në sektorin publik dhe privat ku do t’i japim mundësi secilit punëtor të protestojë bashkë me ne, 24 orë do ta bllokojmë shoqërinë, do ta bllokojmë sistemin që është më fajtori për këtë gjendje. Do të mbledhim 10 mijë nënshkrime, do të bëhemi propozues i autorizuar si deputetët dhe do të kërkojmë që t’u ulen pagat e tyre funksionarët për 80 për qind”, u shpreh Sllobodan Trendafillov, Kryetar i Lidhjes së Sindikatave.
Sipas Lidhjes së Sindikatave, rreth 200 mijë punëtorë në Maqedoninë e Veriut jetojnë me pagë më të ulët se 30 mijë denarë. Protesta e paraparë për nesër, fillon para Shtëpisë së 1punëtorëve, vazhdon para Kuvendit dhe në fund përpara Qeverisë. / Alsat.mk










