Turizmi turk, i njohur ndër vite për konceptin “her şey dahil” (all inclusive) dhe bufenë e hapur ku turistët konsumojnë pa limit, mund të përballet me një ndryshim historik. Autoritetet turke po shqyrtojnë një propozim të ri për të zëvendësuar sistemin e bufeve me menutë à la carte, si pjesë e një pakete për reduktimin e mbetjeve ushqimore.
23 milionë tonë ushqim hidhet çdo vit
Sipas të dhënave zyrtare të Këshillit për Politikat Bujqësore dhe Ushqimore, në Turqi hidhen deri në 23 milionë tonë ushqim çdo vit, një pjesë e madhe e të cilit vjen nga hotelet dhe restorantet me sistemin e hapur të bufeve dhe mëngjeseve tradicionale “serpme kahvaltı”.
Ky fenomen ka ngritur shqetësime serioze për dëmin e moskonsumit ushqimor, koston ekonomike dhe ndikimin mjedisor.
Nga buffet në “zgjidh vet pjatën tënde”
Mediat turke si Cumhuriyet, Ekonomim dhe A Haber raportojnë se modeli i ri parashikon kalimin nga bufeja e hapur drejt një sistemi të ri ku klientët do të porosisin sipas dëshirës, një koncept à la carte i quajtur ndryshe “yiyeceğini seç” (zgjidh vet çfarë do të hash). Kjo pritet të ulë ndjeshëm sasinë e ushqimit që përfundon në kosh.
Në dorë të Presidentit dhe Parlamentit
Propozimi tashmë i është dorëzuar Presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe pritet të kalojë për shqyrtim në Parlament brenda dy muajsh. Megjithatë, deri tani nuk ka një mekanizëm ligjor që e ndalon drejtpërdrejt sistemin ekzistues, çka do të thotë se hotelet kanë ende fleksibilitet për të zgjedhur modelin që do të zbatojnë.
Reagimet e sektorit të turizmit
Nisma ka sjellë reagime të ndryshme nga operatorët turistikë. Shoqata e Menaxherëve Profesionalë të Hoteleve (POYD) paralajmëron se heqja totale e buffet-it mund të ndikojë negativisht te turistët e huaj që janë mësuar me këtë koncept. Sipas tyre, një zgjidhje më e balancuar do të ishte ndërgjegjësimi i mysafirëve dhe aplikimi i porosive shtesë sipas kërkesës, në vend të eliminimit të plotë të sistemit.