Në ndeshjen e zhvilluar më 12 gusht në Shën Petersburg, në raundin e dytë të fazës së grupeve të Kupës së Rusisë, tifozët e Zenitit kanë bërë thirrje fyese në drejtim të sulmuesit të Rubin Kazanit, Mirlind Daku.
Ngjarja ndodhi gjatë takimit që përfundoi me rezultatin 3-0 për Zenitin.
“Komiteti i Kontrollit dhe Disiplinës i RFU-së do të shqyrtojë episodin me thirrje ofenduese nga tifozët e Zenitit të Shën Petersburgut, drejtuar sulmuesit të Rubin Kazanit, Mirlind Daku”, deklaroi për agjencinë “RIA Novosti” kreu i komitetit, Artur Grigoryants. Sipas tij, mbledhja e komitetit do të zhvillohet më 20 gusht.
Në ndeshje, Daku arriti të shënojë një gol, por ai u anulua pas ndërhyrjes së sistemit VAR.
Kujtojmë se gjatë merkatos së verës, Zeniti pati shfaqur interes për transferimin e sulmuesit shqiptar, por marrëveshja nuk u realizua dhe Rubin rinovoi kontratën e tij.
Ndërkohë, në mediat sportive po përflitet se Fiorentina është duke ndjekur me interes lojtarin 27-vjeçar. Në sfidën e fundit, Daku nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës dhe e mbylli ndeshjen me dy tentativa drejt portës, një pozicion jashtë loje dhe katër duele të fituara nga 14 të tilla.