Skenare ogurzeza për Maqedoninë

Njohësit e zhvillimeve politike në Maqedoni si dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare shprehin shqetësimin për tensionimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndarjeve të etnike në vend të cilat sipas tyre po arrijnë një nivel të paprecedent, njofton agjencia e lajmeve INA.

Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane (OBRIE) vlerëson se, skenarët destruktiv të udhëhequr nga lideri i VMRO-së, Nikolla Gruevski mund të thellojnë hendekun mes shqiptarëve dhe maqedonasve, dy komunitetet më të mëdha në vend.

“Politikat provokuese të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski ndaj shqiptarëve etnik, por edhe provokimet tjera që bëhet në raport me fqinjët, sidomos grekët dhe bullgarët mund të çojnë edhe deri në ndarjen e Maqedonisë. Padëgjueshmëria e Gruevskit ndaj komunitetit ndërkombëtarë si dhe mos interesimi i tij për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike janë argumente që flasin hapur se ky lider ka qëllimet të errëta për Maqedoninë”, vlerëson kryetari i OBRIE, Muhamer Pajaziti.

Ndërkohë, edhe publicisti i njohur Veton Surroi kohë më parë është shprehur se Maqedonia dhe Bosnjë Hercegovina mund të shkatërrohen.

“Me qëllim të të kuptuarit të shenjave të këtyre rrugëve, shpërbërja duhet të përkufizohet si hapi tjetër negativ pas status quo-s negative aktuale (konflikti i ngrirë në Kosovë, Bosnjë-Hercegovina jofunksionale, mangësia e legjitimitetit në Maqedoni, politikat irredentiste në Serbi) apo më keq, sekuenca e ndarjes etnike (me siguri të realizuara me dhunë) që do të shkatërrojë Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë, si dhe do të gëzojë apetitet për territor të serbëve, kroatëve e shqiptarëve”, është shprehur Surroi.

Shtetet fqinje, si Bullgaria dhe Greqia duke shfrytëzuar situatën e brishtë në Maqedoni, i kanë shtuar apetitet e tyre duke riaktualizuar çështjet e hapura me Shkupin zyrtar.  Së fundi, një grup intelektualësh bullgar i kanë dorëzuar një peticion UNESCO-s me të cilin kërkojnë që të ndërpritet përvetësimi i gjuhës, historisë dhe kulturës bullgare nga Maqedonia.

Një ton mjaftë i ashpërsuar vërehet edhe nga pala greke e cila ka vendosur vijat e kuqe për ndryshimin kushtetues të Maqedonisë. Grekët vazhdojnë të pohojnë se Maqedonia me mos ndryshimin e emrit kushtetues, hapur shpreh pretendime territoriale ndaj Greqisë.

Ndarja e Maqedonisë, nuk është diçka risi, gjatë konfliktit të 2001-shit, ish-kryeministri Lubço Georgievski pati propozuar, jo vetëm ndarje etnike të Maqedonisë, por edhe ndryshimin e kufijve në rajon. Mirëpo këto ide janë parandaluar nga bashkësia ndërkombëtare e cila është shprehur hapur se në Ballkan nuk do të ketë më ndryshim të kufijve. /ina


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu