Sot heshtje zgjedhore në Kosovë

Këtë të shtunë në Kosovë është heshtje zgjedhore. Më 14 shkurt, qytetarët drejtohen tek kutitë e votimit për përzgjedhjen e një legjislature të re qeveritare.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare ka filluar më 3 shkurt, e cila ka vazhduar deri më 12 shkurt, respektivisht me një kohëzgjatje prej dhjetë ditësh. Në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare marrin pjesë 28 subjekte politike, prej tyre, 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Të gjitha partitë garojnë për 120 vende në parlament.

Zgjedhjet për parlamentin e Kosovës zhvillohen në të gjithë territorin e vendit, përfshirë edhe veriun e Kosovës. Në këtë pjesë që nga viti 2013 proceset zgjedhore si ato lokale dhe të përgjithshme, zakonisht janë ndihmuar edhe nga misioni i OSBE-së. Por kësaj radhe është hera e parë që zgjedhjet në tërë territorin e vendit organizohen vetëm nga KQZ-ja.

Për shkak të pandemisë koronavirus, për herë të parë Bashkimi Evropian, nuk do të dërgojë ekipën e saj për vëzhgimin e zgjedhjeve. Mirëpo, stafi i ambasadave dhe vet ambasadorët janë zotuar se do jenë vëzhguesit e procesit të zgjedhjeve, krahas mijëra organizatave jo-qeveritare të Kosovës.

Laura Pula nga Prokuroria e Shtetit, ka potencuar se institucioni në të cilin vepron është përgatitur për procesin e zgjedhjeve. Ajo ka thënë se, bashkë me gjithë prokurorët dhe stafin përcjellës, kanë finalizuar të gjitha procedurat operative.

I kemi caktuar 88 prokuror së bashku me 40 zyrtar nga sistemi prokurorial që do të operojnë së bashku me Policinë e Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Fatime Dërmaku nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka thënë se janë caktuar 30 gjyqtar kujdestar për ditën e zgjedhjeve. “Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka caktuar 30 gjyqtar kujdestar për t’ju përgjigj kërkesave nga prokuroria e shtetit”, ka theksuar Dërmaku. Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 14 shkurt, përkatësisht ditën e diel.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu