Qeveria spanjolle ka vendosur të tërheqë ambasadoren e saj nga Izraeli, sipas gazetës zyrtare të shtetit.
Lëvizja e së mërkurës vjen ndërsa Spanja ka qenë një nga kritikët më të fortë në Bashkimin Europian ndaj luftës që Izraeli po zhvillon në Gaza dhe ndaj luftës së re kundër Iranit të nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
“Me propozim të Ministrit për Punët e Jashtme, Bashkimin Evropian dhe Bashkëpunimin, dhe pas shqyrtimit nga Këshilli i Ministrave në mbledhjen e tij të 10 marsit 2026, urdhëroj ndërprerjen e emërimit të zonjës Ana María Sálomon Pérez si Ambasadore e Spanjës në Shtetin e Izraelit,” thuhet në gazetë.
Ambasada e Spanjës në Tel Aviv do të drejtohet nga një i ngarkuar me punë, tha një burim në Ministrinë e Jashtme.
Kryeministri i vendit, Pedro Sanchez, është një nga pak liderët e majtë në Europë që ka dënuar sulmin e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit si “të pajustifikueshëm” dhe ka thënë se qëndrimi i Madridit është “jo luftës”.
Qeveria e Sanchez ka qenë gjithashtu një nga qeveritë e pakta europiane që ka dënuar vazhdimisht veprimet e Izraelit në Gaza. Në tetor, parlamenti i Spanjës miratoi përfshirjen në ligj të një embargoje totale të armëve ndaj Izraelit, duke ndaluar përgjithmonë shitjen e armëve, teknologjisë me përdorim të dyfishtë dhe pajisjeve ushtarake, në përgjigje të gjenocidit.










