Në prag të raundit të dytë zgjedhor, skena politike në Strugë po përjeton lëvizje të forta dhe të papritura! Strukturat e VLEN-it në disa vendbanime të komunës kanë njoftuar kalimin e tyre në mbështetje të kandidatit të Aleancës për Komunën e Integruar (AKI), Dr. Arsim Dalipit, duke braktisur kampin e Mendi Qyrës.
Ky vendim vjen pas përkrahjes publike që kryetari aktual i komunës, Ramiz Merko, shpalli ndaj kandidatit të pavarur Mendi Qyra – një veprim që ka shkaktuar pakënaqësi të thellë në radhët e strukturave të VLEN-it, të cilat për vite me radhë kanë qenë ndër kundërshtarët më të ashpër të politikave të Merkos.
Përfaqësues të këtyre strukturave deklaruan se janë ndjerë të manipuluar dhe të mashtruar, pasi për një kohë të gjatë u ishte thënë se Ramiz Merko e mbështet Arsim Dalipin, ndërkohë që e vërteta doli të jetë krejt e kundërta.
“Ne e kemi luftuar Ramiz Merkon për vite, dhe nuk mund të qëndrojmë përkrah një kandidati që merr bekimin e tij. Maskat ranë dhe e vërteta doli në shesh,” theksojnë ata.
Kalimi i këtyre strukturave konsiderohet një goditje serioze për kampin e Mendi Qyrës, ndërsa një forcim i dukshëm për Arsim Dalipin, i cili po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje në terren në ditët vendimtare para raundit të dytë.










