Studiuesit zbulojnë mundësinë e vaksinës universale për të gjitha format e kancerit

Një vaksinë eksperimentale mRNA, e cila përmirëson efektin e trajtimeve ekzistuese kundër kancerit, i ka sjellë studiuesit një hap më afër qëllimit për të zhvilluar një “vaksinë universale” që “zgjon” sistemin imunitar për të luftuar qelizat kancerogjene.

Sipas një studimi të realizuar nga ekipi i Universitetit të Floridës dhe të publikuar në Nature Biomedical Engineering, testimi i kësaj vaksine të re në kombinim me ilaçet standarde kundër kancerit, të njohura si inhibitorë të pikave të kontrollit imunitar, dha një përgjigje të fuqishme kundër tumoreve.

Çka është më befasuese, vaksina nuk synon një lloj specifik tumori, por thjesht aktivizon sistemin imunitar, duke e stimuluar atë të reagojë sikur po lufton një virus. Kjo do të thotë se vaksina mund të përdoret potencialisht për pothuajse çdo lloj kanceri. Autori kryesor i studimit, Dr. Elijas Sajur, onkolog pediatrik në Universitetin e Floridës, thekson se rezultatet hapin rrugën për një trajtim të ri premtues – një alternativë ndaj kirurgjisë, rrezatimit dhe kimioterapisë – me potencial të gjerë për të luftuar edhe format më rezistente të kancerit.

“Kjo punë përshkruan një zbulim të papritur dhe emocionues: edhe një vaksinë që nuk është e drejtuar ndaj një tumori apo virusi specifik – për sa kohë që është vaksinë mRNA – mund të shkaktojë efekte të fuqishme kundër tumoreve. Ky zbulim përforcon konceptin se këto vaksina mund të përdoren si vaksina universale kundër kancerit, duke e bërë sistemin imunitar më të ndjeshëm ndaj tumorit specifik të pacientit,” tha Dr. Sajur.

Vaksinat kundër kancerit mund të tingëllojnë si një ëndërr utopike, por nuk janë ide e re. Teknologjia e vaksinave mRNA, ndonëse e njohur gjerësisht pas pandemisë së COVID-19, ka qenë një pikë kthese për kërkimin shkencor në onkologji.

Deri tani, ekzistonin dy qasje kryesore ndaj vaksinave kundër kancerit: njëra synonte proteinat e zakonshme që ndodhen te shumica e pacientëve me një lloj specifik kanceri; qasja tjetër ishte personalizimi i vaksinës për çdo pacient në mënyrë individuale.

Por studimi i ri prezanton një qasje të tretë: zhvillimi i një vaksine që nuk është e drejtuar ndaj një tipi specifik kanceri, por që stimulon fuqishëm sistemin imunitar dhe mund të kombinohet me trajtime të tjera për një efekt më të gjerë.

“Ky studim sugjeron një rrugë të re: duke përdorur një vaksinë që nuk është projektuar për një tumor të caktuar, por që nxit një përgjigje të fortë imune, mund të provokojmë një reagim të fuqishëm kundër shumë llojeve të kancerit. Prandaj, kjo vaksinë ka potencialin për t’u përdorur gjerësisht, dhe madje mund të çojë drejt zhvillimit të një vaksine universale kundër kancerit,” tha Dr. Duan Miçel, bashkëautor i studimit.

Dr. Sajur dhe kolegët e tij vunë re se përdorimi i vaksinës mRNA për të aktivizuar përgjigje imune që në pamje të parë nuk lidhen drejtpërdrejt me kancerin, mund të rikthejë në funksion qelizat T të cilat më parë nuk reagonin, duke i shtyrë ato të shumohen dhe të sulmojnë qelizat kancerogjene – nëse përgjigja imunitare e shkaktuar nga vaksina është mjaftueshëm e fuqishme.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu