Aktorja Luana Bajrami ka shënuar një tjetër sukses ndërkombëtar. Filmi me metrazh të shkurtër “Two People Exchanging Saliva”, ku ajo luan, është nominuar për çmimin “Oscar”.
Filmi, një bashkëprodhim mes Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është përzgjedhur në mesin e pesë projekteve që garojnë për trofeun më prestigjioz të kinematografisë botërore.
Bajrami luan rolin kryesor, Malaise, në filmin bardhë e zi me regji dhe skenar të Alexandre Singh dhe Natalie Musteata.
Ngjarja zhvillohet në një Paris distopik, ku puthjet janë të ndaluara dhe ndëshkohen rëndë, ndërsa filmi trajton temat e tërheqjes, rivalitetit dhe dhunës së stilizuar, përmes një komedie të errët.
Projekti ka pasur premierën në Festivalin e Filmit në Telluride dhe ka fituar Çmimin e Madh të Jurisë në “AFI Fest”.
Producente ekzekutive janë aktoret e njohura Julianne Moore dhe Isabelle Huppert.
Ndërkohë, filmi “Sinners” i regjisorit Ryan Coogler ka shënuar rekord, duke u nominuar në 16 kategori, numri më i madh i nominimeve në historinë e çmimeve “Oscar”.
Ceremonia e 98-të e ndarjes së çmimeve “Oscar” do të mbahet në muajin mars, ku pritet të shënohet një edicion historik për nga numri i rekordeve dhe diversiteti i filmave të nominuar.









