Ish-sulmuesi legjendar i Hakan Şükür ka komentuar përballjen e ardhshme mes Turqia dhe Kosova, duke vlerësuar lart nivelin e përfaqësueses kosovare dhe duke paralajmëruar një ndeshje të vështirë për ekipin turk.
Şükür, i cili mbetet golashënuesi më i mirë në historinë e Turqisë, theksoi se Kosova ka dëshmuar progres të madh në vitet e fundit dhe nuk duhet nënvlerësuar në asnjë rrethanë.
“Kosova e ka një ekip të fortë. Doli në vend të dytë në një grup mjaft të vështirë, me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë, madje mund të përfundonte edhe e para,” deklaroi ai.
Sipas tij, sfida ndaj Kosovës nuk është një ndeshje tipike kualifikuese, por një përballje që mund të vendoset nga faktorë të tjerë jashtë kalkulimeve klasike.
“Turqia do të ketë punë mjaft të vështirë, sepse ndeshje si kjo nuk janë kualifikuese të Botërorit. Janë ndeshje që vendosen nga kushte dhe rrethana të tjera,” u shpreh Şükür.
Në deklaratën e tij, ai ndau edhe një lidhje personale me Kosovën, duke theksuar origjinën familjare.
“Kosova është atdheu i babait tim. Babai im ishte lindur në Prishtinë. Arritjet e Kosovës nuk duhet të nënvlerësohen. Është një vend që vjen nga ish-Jugosllavia, një tokë me shumë talente,” theksoi ai.
Deklarata e ish-sulmuesit vjen në prag të një përballjeje që pritet të jetë mjaft konkurruese, me të dyja përfaqësueset që synojnë të dëshmojnë forcën dhe potencialin e tyre në arenën ndërkombëtare.(INA)










