Sulmi në Siri, SHBA dhe Rusia bëjnë deklarata të kundërta

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia bënë deklarata të kundërta të mërkurën rreth sulmit me armë kimike në Siri që vrau 72 njerëz.

Administrata e Presidentit Trump u qëndroi akuzave të saj, duke fajësuar forcat e presidentit sirian Bashar Asad me përgjegjësi për sulmin.

Rusia, aleati më i fuqishëm i Assadit paraqiti një version të ndryshëm. Zyrtarët ushtarakë të Rusisë këmbëngulën se lënda kimike u shpërnda kur avionët luftarakë sirianë bombarduan një punishte, në të cilën rebelët po prodhonin armë kimike.

Në Kombet e Bashkuara, ambasadorja e presidentit Donald Trump, Nikky Haley, kërcënoi se Shtetet e Bashkuara do të ndërmerrnin veprime të njëanshme nëse bota nuk vepron.

“Kur Kombet e Bashkuara vazhdimisht dështojnë në detyrën e tyre për të vepruar kolektivisht, ka raste në jetën e shteteve, kur detyrohemi të ndërmarrim vetë veprime,” deklaroi ambasadorja Haley. Ajo foli në takimin urgjent të Këshillit të Sigurimit, ku u debatuar rreth një rezolute që dënonte përdorimin e armëve kimike në Siri. Rusia, e cila ka të drejtën e vetos, është shprehur kundër rezolutës.

Në Moskë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova e përqendroi vëmendjen diku tjetër: “Është e nevojshme të kërkohet që kryengritësit të lejojnë qasje të plotë për të studiuar zonën dhe për të mbledhë informatat e nevojshme,” tha ajo.

Udhëheqësit dhe zyrtarët në vendet e tjera, duke përfshirë Britaninë dhe Izraelin, u bashkuan me SHBA-në duke thënë se përgjegjësia binte mbi forcat e Asadit.

Një zyrtar i SHBA tha se analiza e radarëve dhe vlerësime të tjera tregojnë se në kohën e sulmit në zonë fluturonin avionë sirianë. Uashingtoni ende nuk ka arritur në përfundimin se çfarë lloji armësh kimike ishin përdorur.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu